
21 vatra zjarri janë raportuar gjatë orëve të fundit, nga të cilat janë shuar 7 ndërsa 14 të tjera janë aktive.
Në bashkinë Finiq, vazhdon të jetë aktive vatra e zjarrit, sipas Ministrisë së Mbrojtjes. Flakët kanë kaluar në fshatin Krane.. Në terren po operojnë 37 efektivë me 6 automjete zjarrfikëse të bashkive Finiq, Sarandë, Konispol dhe Delvinë, 20 forca policore, 30 forca bashkiake dhe vullnetare, të ndihmuar nga Forcat e Armatosura me 28 efektivë, 4 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë, 1 autobot, 60 forca ushtarake dhe mbështetje nga ajri. Gjithashtu ka operuar edhe avioni Kroat Canadair.
Në vendin e quajtur “Rëzom”, në afërsi të Tunelit të Skërficës, te maja e “Lucës”, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe pyjore. Për shkak të terrenit të thyer është e vështirë të operohet me mjete nga toka, por në vendngjarje kanë shkuar punonjësit e AdZM.
Në fshatin Bolenë, njësia administrative Horë-Vranisht, bashkia Himarë. Në terren janë duke operuar forcat e MZSH të bashkisë Himarë dhe Vlorë me 3 automjete zjarrfikëse, 10 efektivë dhe forca vullnetare, të ndihmuar dhe nga 20 forca të FA-së, të cilët kanë vënë zjarrin nën kontroll.
Në fshatin Lukovë, njësia administrative Lukovë, bashkia Himarë. Në terren po punojnë efektivët e MZSH Himarë me 1 automjet zjarrfikës dhe 3 efektivë, të cilët po punojnë për shuarjen e tij.
Në fshatin Malaj i Epërm, në Lezhë njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë, ku zjarri është izoluar në sipërfaqe pyjore me pisha, lis dhe shkurre. Vatra e zjarrit është nën kontroll të plotë dhe po punohet me 2 mjete zjarrfikëse, 6 efektivë nga MZSH, 6 forca të pyjores, 5 forca bashkiake dhe 2 forca vullnetare.
Në Malin e Allushit në Dibër, në afërsi të fshatit Plani Bardhë, bashkia Klos, vatra e zjarrit është nën kontroll dhe po monitorohet nga 6 efektivë të MZSH dhe 1 automjet zjarrfikës.
Në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, vazhdon vatra e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Në terren janë duke operuar forcat e MZSH të bashkisë Poliçan, Berat dhe Skrapar me 7 automjete zjarrfikëse dhe 25 efektivë, por e kanë të vështirë vënien e zjarrit nën kontroll.
Në fshatin Kozare, pranë pusit 4, njësia administrative Kozare, bashkinë Kuçovë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në terren janë angazhuar efektivë të MZSH Kuçovë, të cilët po punojnë për shuarjen e tij.
Në fshatin Goriçan, njësia administrative Kutalli, bashkinë Dimal, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me ullinj. Në terren janë angazhuar efektivë të MZSH Dimal me 3 automjete zjarrfikëse dhe 9 efektivë, të cilët po punojnë për shuarjen e tij.
Në fshatin Zagore, në Malësinë e Madhe, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe barishte. Në vendngjarje kanë shkuar 1 automjet zjarrfikëse me 6 efektivë nga Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Malësi e Madhe, të cilët po ndërhyjnë me pompa shpine, por si pasojë e terrenit të vështirë dhe të paaksesueshëm nga mjetet është e vështirë vënia nën kontroll e vatrës.
Në vendin e quajtur “Mali i Bërzhitës” në Tiranë ka po ashtu një vatër zjarri.
Në fshatin Ballaj dhe Zhabjak në Rrogozhinë, era e fortë vështirëson punën e forcave për të vënë nën kontroll flakët.
Një vatër zjarri është dhe në fshatin Turan në Tepelenë, ku janë angazhuar forcat operacionale, të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit
Top Channel