Eminem ka rrëfyer një nga kapitujt më të vështirë të jetës së tij në dokumentarin e ri “Stans”, i cili pati premierën në SHBA më 7 gusht.

Reperi 51-vjeçar, një nga figurat më të njohura të muzikës botërore, foli hapur për luftën e tij me varësinë nga drogat, mbidozën e vitit 2007 që pothuajse i mori jetën dhe momentin që e shtyu të kërkonte ndihmë.

Isha në një rreth vicioz. Po bieja mendërisht, ndaj merrja më shumë pilula. Pastaj, toleranca bëhet aq e lartë, sa trupi nuk reagon më as ndaj mbidozës

-tha ai, duke kujtuar periudhën e errët që e kishte pushtuar.

Eminem tregoi se u zgjua në spital, i palëvizshëm dhe i rrethuar nga tuba mjekësorë, pa e ditur çfarë kishte ndodhur.

Kur u ktheva në shtëpi, i thashë vetes: ‘O Zot, duhet të bëj diçka. Ndihesha sikur po vdisja’

Momenti që ndryshoi gjithçka për reperin ishte kur humbi një nga ngjarjet më të rëndësishme në jetën e vajzës së tij, Hailie Jade McClintock.

Më sollën një video nga recital i saj i parë në kitarë, të cilin e kisha humbur. E pashë dhe shpërtheva në lot. Ndjeva një faj të madh. Thashë: ‘O Zot, pse e humba atë?’

Ky reflektim i thellë dhe faji për humbjen e momenteve të rëndësishme me vajzën e tij e çuan Eminem-in drejt një vendimi të madh: të linte varësinë përgjithmonë.

Nëse nuk mund ta bëni për veten, bëjeni për ata që doni

Që nga prilli i vitit 2008, reperi ka mbetur i matur, ndërsa albumi “Relapse” i vitit 2009 shënoi fillimin e periudhës së tij të rikthimit në muzikë me një energji të re.

Prillin e kaluar, Eminem festoi 16 vjet pa substanca, duke e ndarë momentin me ndjekësit e tij në Instagram përmes një fotoje ku mbante monedhën përkujtimore të maturisë.

Ky rrëfim i sinqertë në “Stans” jo vetëm që hedh dritë mbi betejën personale të reperit, por edhe përcjell një mesazh të fortë shprese për ata që përballen me varësinë./ TAR

Top Channel