Udhëtim mes maleve/ Suedezët që përshkojnë me biçikleta të gjithë Ballkanin, ndalen në Shqipëri

09/08/2025 12:36

Në mes të maleve të larta dhe kthesave të pafundme të rrugës Kukës–Peshkopi, Rianna, 32 vjeçe, dhe bashkëshorti i saj Rei, 46, ndalen për një pushim të shkurtër.

Çifti suedez është në ditën e katërt të udhëtimit të tyre me biçikletë nëpër Ballkan, dhe për herë të parë ndodhen në Shqipëri.

“Emri im është Rihana, kjo është hera ime e parë në Kukës. Fillimisht planifikuam të ndalemi në Peshkopi, por do të vazhdojmë drejt Maqedonisë dhe Kosovës. Sot udhëtimi ishte shumë i mirë. Është pak e vështirë duke u ngjitur lart, por rrugët janë të mira. Kjo është një eksperiencë e mrekullueshme për ne”, u shpreh turistja suedeze.

Në Suedi, Rianna përdor biçikletën vetëm për të shkuar në punë ose për të lëvizur në qytet, por ky është udhëtimi i parë i gjatë me dy rrota.

“Çiklizmi për ne është një sfidë, një mënyrë më e ngadaltë, por shumë e bukur për të udhëtuar. Njohim njerëz, flasim me ta, dhe ka një komunitet të madh çiklistësh që takojmë rrugës. Shqipëria është e mrekullueshme, e mbushur me male dhe pamje të jashtëzakonshme. Në vendin tim biçikletën e përdor vetëm për punë e përreth qytetit, por këtu po e shijoj si kurrë më parë. Mesazhi im për të gjithë është: ejani në Shqipëri, do të mbeteni të mahnitur”, tha ajo.

Edhe për Rei, vendi është një zbulim i veçantë.

“Është hera ime e parë në Shqipëri dhe në Ballkan. Pak ditë kemi këtu dhe kemi parë bukuri të mahnitshme, natyrë të jashtëzakonshme dhe mikpritje të ngrohtë. Edhe pse jo të gjithë flasin anglisht, gjejmë gjithmonë mënyrën për të komunikuar. Nuk jemi ndier kurrë të pasigurt. Shqipëria më ka lënë shumë përshtypje, jo vetëm nga natyra, por sidomos nga njerëzit”, tha turisti Rei Poquiz.

Në fund, janë kujtimet, bisedat dhe mikpritja që mbeten. Shqipëria, siç thonë ata, është një kapitull i veçantë në udhëtimin e tyre pa fund.

Top Channel