
Evropa po zbaton masa të reja ndëshkuese ndaj turistëve të padisiplinuar këtë verë, me gjoba që shkojnë deri në mijëra euro për sjellje që dikur toleroheshin, nga ecja me rroba banje jashtë plazhit deri te drejtimi i makinës me shapka.
Në Turqi, një pasagjer që zgjidh rripin e sigurimit para ndalimit të plotë të avionit mund të gjobitet me 62 euro. Në Albufeira të Portugalisë, veshja me bikini në rrugë mund të kushtojë deri në 1,500 euro, ndërsa në Ishujt Balearik të Spanjës, pirja e alkoolit në publik mund të sjellë një gjobë deri në 3,000 euro.
Autoritetet lokale thonë se masat nuk kanë për qëllim të trembin turistët, por të ruajnë mirëqenien e banorëve dhe të promovojnë turizmin e përgjegjshëm.
“Rregullat janë për të mbrojtur përvojën e shumicës së vizitorëve që sillen mirë,” tha Jessica Harvey Taylor nga Zyra Spanjolle e Turizmit në Londër.
Në Malaga, një fushatë sensibilizuese me 10 pika u lançua për të edukuar pushuesit mbi sjelljen e duhur, përfshirë shmangien e mbeturinave, zhurmës dhe përdorimit të pakujdesshëm të skuterëve elektrikë.
Gjobat janë konkrete dhe policia po monitoron nga afër zonat turistike, veçanërisht ato me jetë të gjallë nate.
Në Greqi, marrja e një guaske nga plazhi mund të kushtojë deri në 1,000 euro. Në Itali, ecja në shtigjet e Cinque Terre me këpucë të papërshtatshme mund të sjellë një gjobë prej 2,500 eurosh. Madje edhe duhanpirja në plazhet publike në Francë tani ndalohet dhe ndëshkohet me 90 euro.
Ekspertët thonë se kjo është përgjigje ndaj viteve të pakënaqësisë lokale ndaj mbiturizmit dhe mungesës së respektit ndaj komuniteteve pritëse.
Megjithatë, ka shqetësime për efektivitetin afatgjatë të këtyre masave. Për momentin, prania e policisë është rritur dhe turistët janë të këshilluar të njihen me rregullat përpara udhëtimit.
Në Albufeira, posterat dhe fletëpalosjet informuese janë vendosur në hotele, por shumë vizitorë ende nuk janë të vetëdijshëm për rregullat e reja.
Si të mos gjobiteni në Evropë këtë verë:
Gjoba: Deri në 300 euro (261 paund) për drejtim mjeti me shapka, këmbë zbathur ose sandale.
Ku? Spanjë, Greqi, Itali, Francë, Portugali
Si ta shmangni: Vishni këpucë të përshtatshme për të drejtuar makinën.
Gjoba: Deri në 1,500 euro (1,307 paund) për veshjen e rrobave të banjës larg plazhit.
Ku? Barcelona, Albufeira, Split, Sorrento, Kanë, Venecia
Si ta shmangni: Mbulohuni kur të largoheni nga plazhi.
Gjoba: Deri në 3,000 euro (2,615 paund) për pirjen e alkoolit në publik
Ku? Majorka, Ibiza, Magaluf, Ishujt Kanarie
Si ta shmangni: Pijeni me masë në një bar, restorant ose në vilën apo apartamentin tuaj.
Gjoba: Deri në 1,000 euro (871 paund) për marrjen e një guaske ose guraleci nga plazhi
Ku? Greqi
Si ta shmangni: Bëni një foto në vend të kësaj.
Gjoba: 350 euro (305 paund) për not në një kanal
Ku ? Venecia
Si ta shmangni: Mos harroni se ujërat e zeza derdhen në kanal; në vend të kësaj bëni një udhëtim me gondolë.
Top Channel