
Një natë makthi kanë kaluar banorët e Kerateas në lindje të periferisë së Atikës për shkak të një zjarri të madh që ka shkrumbuar dhjetëra shtëpi e tokë pyjore dhe vazhdon të djegë për të dytën ditë i ndihmuar edhe nga erërat që fryjnë me shpejtësi deri në 80 km/orë.
Beteja e qindra zjarrfikësve dhe forcave vullnetare gjatë gjithë natës dhe hedhjet masive nga avionët dhe helikopterët zjarrfikës prej orëve të para të mëngjesit të së shtunës sjellin një situatë të përmirësuar, në frontet e zjarrit.
Zjarri në Keratea shpërtheu rreth orës 14:00 të mesditës të së premtes dhe për fat të keq pati si pasojë tragjike vdekjen të një të moshuari, që u gjet i karbonizuar brenda shtëpisë së tij, e cila ishte përfshirë nga flakët.
Beteja do të vazhdojë edhe në orët e ardhshme , pasi ka shumë vatra të shpërndara, në një front prej gati 7 km. Drita e ditës ka zbuluar edhe imazhe të një katastrofe të madhe natyrore në këtë zonë të Atikës Lindore, ndërsa shumë shtëpi janë djegur plotësisht dhe shumë të tjera janë dëmtuar.
Në betejën me flakët vazhdojnë të operojnë më shumë se 270 zjarrfikës me 77 mjete , të mbështetur nga 13 avionë dhe 15 helikopterë që hedhin ujë vazhdimisht.
Përveç forcave vullnetare ndihmojnë për shuarjen e zjarrit edhe një ekip me zjarrfikës nga Rumania.
Banorët e zonës kanë marrë dhjetëra mesazhe nga numri i emergjencës 112 për tu larguar prej shtëpive të tyre. Gjithashtu zjarrfikësit dhe forcat policore kanë ndihmuar gati 400 persona të shkojnë në zona të sigurta.
Në të gjithë Greqinë, më shumë se 50 zjarre bujqësore dhe pyjore kanë shpërthyer në 24 orët e fundit – në një nga ditët më të këqija për zjarret këtë verë.
Autoritetet kanë paralajmëruar se rreziku i shpërthimeve të mëtejshme të zjarreve mbetet i lartë për sot, veçanërisht në Atikë, Peloponez dhe Greqinë perëndimore.
Top Channel