“Asgjëkundi shumë larg”, ekspozita e skulptorit Vasil Vasili në galerinë “Art Saranda”

09/08/2025 12:47

Në galerinë “Art Saranda” është çelur ekspozita personale e skulptorit me origjinë nga Saranda, Vasil Vasili, me titullin “Asnjëherë shumë larg / Never too far away”.

Kjo është ekspozita e parë e skulpturës për vitin 2025 në këtë galeri dhe njëherazi përfaqëson një rikthim simbolik të autorit në vendlindje, pas një periudhe 35-vjeçare të jetës në distancë.

Ekspozita është kuruar nga Katerina Koskina, e cila në fjalën e saj vlerëson dimensionin jetësor dhe artistik të veprave të autorit.

“Vasil Vasili jetoi vite të vështira, por me dashuri për vendin e tij. Të gjitha peripecitë e jetës ishin në memorjen e tij dhe kur u bë artist, u pasqyruan në veprat e tij, që lidhen me shtëpinë, me vetminë, me pasaportën e tij të vjetër dhe të re, pasi hyri në një shoqëri të hapur. Këtë e bën si skulptor me krijimtari dhe me poezi”, tha katerina Koskina.

Ekspozita është e ndarë në disa pjesë. Në hyrje janë vendosur punimet e hershme të artistit, që mbajnë gjurmët e fillimeve të tij në kurset e vizatimit dhe skulpturës në ish Shtëpinë e Kulturës së Sarandës.

“Para viteve ’90, Vasili ka qenë në kurset e Shtëpisë së Kulturës për vizatim dhe skulpturë, dhe këtë e tregon në punimet e hershme në këtë ekspozitë, duke sjellë portretin e babait, të nënës dhe shumë frymëzime nga jeta në fshat e nga koha e ushtrisë. Njëkohësisht i bashkëngjiten edhe vepra të realizuara kur ishte në Akademinë e Arteve.

Në sallën e dytë kemi vepra të pjekurisë së tij. Ai krijon kodet e tij të komunikimit nëpërmjet formave të skulpturës, që do të thotë të gjitha kujtimet e tij që nga vegjëlia deri sa po rritet ,që nga urat, nga mënyra sesi një ndërtues ndërtonte murin, sesi zgjidhte gurin e madh dhe të vogël ,këtë motiv ka përzgjedhur. Pikërisht përballë kemi një motiv të quajtur ‘Çelësi i Urave’, nën mesazhin që ‘mali me malin nuk takohet, por një urë i lidh’”, u shpreh Lefter Çeko, drejtor i galerisë “Art Saranda”.

Në sallat e tjera shfaqen vepra të pjekurisë artistike të autorit që përfshijnë struktura me elementë druri, mermeri, gurë dhe libra të shndërruara në skulptura dhe instalacione që përçojnë përvoja personale, kujtime të vendit të origjinës dhe kontakte me kultura të tjera.

“Ekspozita është një udhëtim i imi shpirtëror që prej ditës që filloi dashuria për artin dhe kthehem si Odisea pas 35 vjetëve me ekspozitën vetjake në Sarandë. Janë kujtimet, emocionet, komunikimi im me elementët e traditës, të arkitekturës, të vendit tonë ,të interpretuara në një mënyrë artistike”, u shpreh Vasil Vasili, skulptor.

Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm shumë të ftuar, përfaqësues të artit dhe diplomacisë.

Vasil Vasili, lindur në fshatin Braillat Shqipëri, në vitin 1964, ka kryer studimet në Shkollën e Arteve të Bukura në Athinë dhe më pas në Akademinë e Arteve në Filadelfia, SHBA.

Ai ka realizuar ekspozita personale në Gjermani, Greqi dhe SHBA, ndërsa veprat e tij gjenden në koleksione dhe hapësira publike në vende si Shqipëria, Greqia, Kanadaja, SHBA, Franca, Koreja e Jugut, Arabia Saudite e të tjera. Me këtë ekspozitë në Sarandë, Vasili shënon një kthim artistik dhe simbolik në vendin ku nisi rrugëtimin e tij.

Ekspozita “Asnjëherë Shumë Larg” do të qëndrojë e hapur për publikun deri në mesin e muajit shtator në ambientet e Galerisë “Art Saranda”.

 

 

Top Channel