
Një 43-vjeçar është vënë në pranga, pasi merrej me shitje të kokainës në zona të ndryshme të Durrësit.
Gjatë një operacioni antidrogë në Durrës, të koduar “Il Punto”, u arrestua Jorgent Dhima, i cili dyshohet se është shpërndarës i kokainës në disa zona të qytetit dhe në plazh.
Sipas Policisë, operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariatin e Policisë Durrës, pas informacioneve të marra në rrugë operative.
Shërbimet policore ndërhynë në lagjen nr. 18, ku kapën në flagrancë shtetasin Jorgent Dhima, banues në lagjen nr. 7.
Në automjetin e tij u gjetën doza kokainë gati për shitje, ndërsa gjatë kontrollit të banesës u sekuestruan edhe 250 gramë të tjerë të ndarë në disa qese, një peshore elektronike, tre aparate celularë dhe automjeti që përdorej për shpërndarjen e drogës.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së Durrësit, ndërsa 43-vjeçari do të përballet me akuzën për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.
Top Channel