OpenAI ka prezantuar modelin më të ri të inteligjencës artificiale, GPT-5, duke e cilësuar atë si më të zgjuar, më të shpejtë dhe më të dobishëm se paraardhësit.

Sipas themeluesit dhe CEO-s së kompanisë, Sam Altman, GPT-5 përfaqëson një kapërcim historik, duke e cilësuar si një model me aftësi të nivelit të doktoraturës në fusha si programimi dhe shkrimi.

“Të kesh diçka si GPT-5 do të ishte e paimagjinueshme në çdo epokë tjetër të historisë njerëzore”.

OpenAI pretendon se GPT-5 ka përmirësuar ndjeshëm aftësitë logjike dhe arsyetuese, jep përgjigje më të sakta dhe “ndjehet” më njerëzor në komunikim.

Altman tha se ky model është më pak i prirur ndaj “halucinacioneve” — pra, krijimit të informacionit të pavërtetë — dhe më pak mashtrues në përgjigje.

“GPT-3 ishte si të flisje me një nxënës gjimnazi, GPT-4 si të bisedoje me një student universiteti, ndërsa GPT-5 ndjehet si të flasësh me një ekspert të vërtetë në çdo fushë”.

Lançimi i GPT-5 vjen në një klimë konkurrence të nxehtë mes kompanive teknologjike. Elon Musk, me chatbot-in Grok, pretendoi muajin e kaluar se ai ishte “më mirë në gjithçka”.

Edhe Anthropic, kompania pas modelit Claude, po pozicionon versionin e saj si ndihmës për zhvilluesit e softuerëve.

Pak para prezantimit të GPT-5, Anthropic i revokoi OpenAI-t aksesin në API-në e saj, duke akuzuar kompaninë se po e përdorte për qëllime që binin ndesh me termat e shërbimit. OpenAI e quajti këtë praktikë “standard në industri” dhe shtoi se API-ja e tyre mbetet e hapur për konkurrentët.

Pavarësisht bujës, disa ekspertë të etikës në AI paralajmërojnë për një inflacion marketingu. Ndërkohë, kërkohen rregulla më të fortë për këto teknologji, ndërsa industria kreative, përfaqësuar nga Getty Images, shpreh shqetësimin për mbrojtjen e autorësisë.

Në përpjekje për ta bërë chatbot-in më të përgjegjshëm emocionalisht, OpenAI ka bërë ndryshime në mënyrën si ChatGPT i përgjigjet përdoruesve. Për pyetje të ndjeshme si “A duhet të ndahem nga partneri im?”, AI nuk jep më një përgjigje të prerë, por ndihmon në reflektim, duke sugjeruar analiza dhe pyetje ndihmëse.

Altman ka pranuar se ndërveprimet e përdoruesve me AI po bëhen gjithnjë e më personale, çka mund të sjellë edhe raporte të rrezikshme parasociale.

“Shoqëria do të duhet të vendosë rregulla të reja”, tha ai. Modeli i ri po shpërndahet për të gjithë përdoruesit që nga e enjtja.

Me këtë hap, OpenAI sinjalizon mundësinë e një largimi nga modelet plotësisht me pagesë, duke ofruar më shumë akses në kapacitetet e GPT-5.

Në ditët në vijim do të vërtetohet nëse GPT-5 do t’i përmbushë pritshmëritë apo nëse, siç paralajmërojnë kritikët, kemi të bëjmë me një evolucion të moderuar, e jo një revolucion.

 

Top Channel