Zjarri në pyllin pranë uzinës së Poliçanit që rrezikoi magazinat me lëndë plasëse, zbulohet autori

07/08/2025 10:25

Autori i zjarrit të një dite më parë pranë uzinës së Poliçanit është vënë nën hetim.

Ai është identifikuar si M. S., 63 vjeç me probleme të shëndetit mendor.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Poliçan referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. S., 63 vjeç, banues në Poliçan, me probleme të shëndetit mendor, pasi dyshohet se në territorin e Kombinatit Mekanik në Poliçan ka ndezur zjarr dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe pyjore”, sipas policisë.

Zjarri u përhap një natë më parë pranë zonës C në të cilën ndodhen magazinat me lëndë plasëse.

Në vendngjarje shkuan zjarrfikëset, ushtria si dhe një helikopter i Bazës së Kuçovës.

Nëse flakët do t’u afroheshin magazinave, shpërthimi i tyre do shkaktonte rrezikshmëri për lagjen Kalluç, e cila është 200 m larg.

Top Channel