
Një kopsht zoologjik në Gjermani ka shkaktuar zemërim, përfshirë kërcënime me vdekje, pasi vendosi të vriste 12 babuinë dhe të ushqente luanët me disa nga trupat e tyre.
E gjitha filloi kur kopshti zoologjik Tiergarten Nuremberg vendosi në fund të korrikut të vriste 12 babuinë, të cilët përndryshe ishin të shëndetshëm, për shkak të mbipopullimit. Disa nga kufomat e kafshëve u përdorën për qëllime kërkimore dhe disa u dhanë për të ushqyer luanët.
Sky News raporton se planet për të vrarë disa nga babuinët u njoftuan në fund të vitit 2024, kur numri i tyre kaloi 40 në kopshtin zoologjik.
Drejtori i kopshtit zoologjik e mbrojti vendimin, duke thënë se përpjekjet për të sterilizuar ose zhvendosur babuinët kishin dështuar.
“Ne i duam këto kafshë. Ne duam të shpëtojmë një specie. Por për të mirën e specieve, duhet të vrasim disa individë, përndryshe nuk do të jemi në gjendje ta ruajmë popullatën në një zonë të kufizuar”, tha Dr. Doug Enke.
Sipas tij, policia po heton pasi stafi mori kërcënime me vdekje. “Ne vuajmë nga të gjitha këto mallkime, fyerje dhe kërcënime”, tha Dr. Enke. Siç tha ai, “kërcënimi më i zakonshëm është ‘do t’ju vrasim dhe do t’ju japim luanëve'”. “Por ajo që është vërtet e neveritshme është kur thonë se ky është më i keq se Dr. Mengele i nazistëve. Kjo është vërtet fyese për të gjitha viktimat e Luftës së Dytë Botërore dhe regjimit nazist”, shtoi Enke.
Top Channel