
Një ditë pas takimit që i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, zhvilloi me Vladimir Putinin në Moskë, president ii Ukrainës Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për një takim ballë për ballë me shefin e Kremlinit.
“Ne në Ukrainë, vazhdimisht e kemi përsëritur se gjetja e zgjidhjeve reale mund të jetë vërtet efektive në nivelin e udhëheqësve”, shkroi Zelensky në rrjete sociale.
“Është e nevojshme të përcaktohet koha për një format të tillë dhe gamën e çështjeve që do të trajtohen“, shtoi ai. Kreu i shtetit ukrainas nënvizoi mëngjesin e sotëm se ka planifikuar të zhvillojë “disa” biseda gjatë ditës, përfshirë me kancelarin gjerman Friedrich Merz, si dhe me zyrtarë francezë dhe italianë.
“Do të ketë gjithashtu komunikim në nivelin e këshilltarëve të sigurisë kombëtare”, sqaroi Zelensky, duke theksuar se “gjëja kryesore është që Rusia, e cila e filloi këtë luftë, të ndërmarrë hapa të vërtetë për t’i dhënë fund agresionit të saj”. Një këshilltar i Kremlinit pohoi se Trump dhe Putin kanë rënë dakord të takohen në “ditët në vijim”.
Njoftimi i tij erdhi pak pas deklaratës së presidentit amerikan se ka shanse të mira që ai të mund të takohet shumë shpejt personalisht me udhëheqësit rusë dhe ukrainas për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë.
Kur u pyet në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën në mbrëmje nëse Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe Putin kishin rënë dakord për një samit trepalësh, Trump tha se kishte një “perspektivë shumë të mirë”, por nuk dha më tepër detaje.
Agjencitë ruse të lajmeve, duke cituar ndihmësin e Kremlinit, Yuri Ushakov, thonë se është rënë dakord për një vend për një takim midis Trump dhe Putin, ndërsa hollësitë të mëtejshme do të jepen më vonë.
Zyrtari, i cili këshillon Putinin për çështjet e jashtme, pohoi vetëm se të gjitha palët kanë filluar të punojnë tashmë mbi detajet.
Top Channel