Protesta kundër Gjykatës Speciale në Prishtinë, kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së: Po deformohet historia e Kosovës

07/08/2025 18:00

Në Prishtinë po protestohet me moton “kundër padrejtësisë” nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e organizuar nga kategoritë e dala nga lufta.

Mijëra protestues, nga qytete të ndryshme të Kosovës dhe vende të rajonit, janë mbledhur në sheshin Skënderbeu të Prishtinës dhe turmës fillimisht iu adresua kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), Hysni Gucati. Ai tha se sot po rrezikohet liria dhe e vërteta e luftës së UÇK-së.

Sipas tij, Specialja po e deformon historinë e Kosovës.

Gucati shtoi se Specialja po përhap narrativin “e rremë se Kosova është çliruar nga kriminelët”, duke shtuar se vendi është çliruar nga UÇK-ja, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja.

“Kjo nuk është drejtësi, kjo është dhunë politike. Ky është kriminalizim i UÇK-së dhe ndërhyrjes së NATO-s”, tha ai.

Top Channel