Netanyahu diskuton të ardhmen e Gazës, mbledh kabinetin

07/08/2025 18:27

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka nisur diskutimet për të ardhmen e Rripit të Gazës, në një kohë kur ofensiva ushtarake izraelite në territorin palestinez vijon pa ndërprerje.

Sipas përditësimit më të fundit të ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e cila kontrollohet nga Hamasi, numri i viktimave që nga fillimi i konfliktit më 7 tetor 2023 ka arritur në 61,258 të vrarë, ndërsa 152,045 persona janë plagosur si pasojë e bombardimeve izraelite.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara raportojnë se 87% e territorit të Gazës është kthyer në zonë ushtarake ose është në kushte evakuimi të detyruar, duke bërë që pjesa më e madhe e popullsisë të zhvendoset drejt kampeve të improvizuara të refugjatëve, ku mungesa e ushqimit dhe ndihmës është thelluar ndjeshëm.

Agjencitë e OKB-së kanë paralajmëruar për një uri të shkaktuar nga njeriu, duke theksuar se situata humanitare po përkeqësohet çdo ditë. Vetëm në 24 orët e fundit, katër persona kanë ndërruar jetë për shkak të kequshqyerjes, duke e çuar në 197 numrin total të vdekjeve të lidhura me mungesën e ushqimit, mes tyre 96 fëmijë.

Pavarësisht situatës kritike, Izraeli ka deklaruar se “nuk ka uri në Gaza”, duke theksuar se ka mbështetur shpërndarjen e ndihmave përmes Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF) dhe ka lejuar gjithashtu dërgimin e furnizimeve nga ajri.

Por një grup ekspertësh të OKB-së kanë ngritur shqetësime të forta mbi operacionet e GHF-së, duke kërkuar pezullimin e këtij mekanizmi, pasi të paktën 859 persona janë vrarë në zonat pranë pikave të shpërndarjes së ndihmave që nga fillimi i operacioneve të tij.

Top Channel