
Një shtetas maroken 47-vjeçar është arrestuar në Francë pasi ndezur një cigare nga Flaka e Përjetshme në Varrezën e Ushtarit të Panjohur, që ndodhet nën Harkun e Triumfit në Paris.
Ngjarja ndodhi të hënën në mbrëmje, kur burri iu afrua flakës, u gjunjëzua dhe ndezi cigaren. Incidenti u filmua nga një turist nga Letonia, i cili më pas publikoi pamjet në platformën TikTok. Videoja u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale, duke shkaktuar indinjatë të gjerë publike dhe reagime të ashpra institucionale.
Sipas dëshmisë së turistit për gazetën Le Figaro, burri “nuk dukej nën ndikimin e alkoolit apo drogës”, por përkundrazi “shfaqej i vetëdijshëm dhe krenar për veprimin e tij”.
Ministria e Brendshme Franceze ka njoftuar se leja e qëndrimit e të arrestuarit, e cila ishte e vlefshme deri në tetor 2025, do të revokohet menjëherë.
Burri është i njohur për autoritetet policore dhe gjyqësore, dhe sipas burimeve zyrtare, ka pranuar veprimin e tij gjatë marrjes në pyetje.
Ministri i Brendshëm francez reagoi në platformën X (ish-Twitter), duke e quajtur këtë akt si:
“I padenjë dhe i mjerueshëm, që ofendon kujtimin e atyre që ranë për Francën.”
Varri i Ushtarit të Panjohur, vendosur nën Harkun e Triumfit më 11 nëntor 1920, është një simbol i përkujtimit për të gjithë ushtarët francezë të rënë gjatë Luftës së Parë Botërore, dhe Flaka e Përjetshme ndizet çdo ditë në nderim të tyre.
Top Channel