
Dean Cain, aktori që luajti rolin e Superman-it në vitet 1990, ka bërë të ditur se do t’i bashkohet Agjencisë Amerikane për Imigracionin dhe Doganat (ICE), për të mbështetur politikën e rreptë anti-emigracion të presidentit Donald Trump.
ICE, agjencia federale për zbatimin e ligjeve të imigracionit, ka intensifikuar ndjeshëm bastisjet që nga rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë. Së fundmi, kjo agjenci ka marrë një financim shtesë prej 75 miliardë dollarësh, si pjesë e “projektligjit të madh dhe të bukur” të presidentit, që përfshin edhe rekrutimin e 10,000 agjentëve të rinj deri në vitin 2029.
Duke folur në emisionin e Jesse Watters në Fox News të mërkurën në mbrëmje, Cain tha se vendimi për t’iu bashkuar ICE erdhi pasi ai postoi në Instagram një video të rekrutimit të agjencisë. Videoja u transmetua më pas në emisionin e Watters, gjë që, sipas Cain, “e bëri gjithçka të shpërthente”.
“Në fakt, jam një zëvendëssherif i betuar dhe oficer policie rezervë – nuk kam qenë pjesë e ICE më parë, por pas publikimit të videos dhe mbulimit në emisionin tuaj, gjithçka ndryshoi,” u shpreh Cain. “Kam kontaktuar me disa zyrtarë të ICE dhe tani jam në proces për t’u betuar si agjent, sa më shpejt të jetë e mundur.”
Kur u pyet për motivimin e tij, Cain tha: “Ky vend është ndërtuar nga patriotë që morën përgjegjësi, edhe kur kjo nuk ishte e popullarizuar. Besoj me të vërtetë se kjo është gjëja e duhur për të bërë.”
Pamje të publikuara kohët e fundit tregojnë kushtet e vështira në një qendër paraburgimi të ICE në New York City, ndërkohë që bastisjet janë rritur ndjeshëm në të gjithë vendin. Që nga rizgjedhja e Trump, ICE ka shënuar një numër rekord arrestimesh – deri në 3,000 persona në ditë – përfshirë edhe individë me status të mbrojtur ligjor apo madje edhe qytetarë amerikanë, duke ngritur shqetësime për shkelje të procesit të rregullt ligjor.
Cain u shpreh se veprimet e tij synojnë të frymëzojnë të tjerët: “Po bëj një hap përpara. Shpresoj që edhe ish-oficerë, ish-agjentë të ICE dhe të tjerë të bashkohen, që të arrijmë objektivat e rekrutimit dhe të ndihmojmë në mbrojtjen e këtij vendi.”
Veprimet e ICE kanë shkaktuar protesta të shumta në mbarë Shtetet e Bashkuara, ndërsa administrata Trump është përballur me kritika për ndalimin dhe ndjekjen penale të protestuesve dhe qytetarëve që filmojnë bastisjet.
Së fundmi, Cain ka qenë në qendër të vëmendjes për deklaratat e tij kritike ndaj versionit të ri të Superman-it. Ai kritikoi qasjen “e zgjuar” të filmit të fundit, duke e cilësuar si ndryshim të panevojshëm të karakterit origjinal. “E dimë që Superman është një emigrant – është një alien… ‘Mënyra amerikane’ është e hapur ndaj emigrantëve, por duhet të ketë rregulla dhe kufizime. Nuk mund t’i pranojmë të gjithë, përndryshe shoqëria nuk do të funksionojë,” tha ai për TMZ.
Top Channel