
Sanjay Wadhwani, një kapitalist britanik i sipërmarrjes, aplikoi për një markë tregtare për të përdorur emrin e futbollistit në produkte si pije, ushqime, veshje dhe lojëra.
Diego Maradona mahniti botën e futbollit duke udhëhequr Argjentinën drejt lavdisë në Kupën e Botës me “dorën e Zotit” në vitin 1986 dhe duke u shpallur Lojtari i Shekullit nga FIFA.
Por jashtë fushës, ai luftoi me varësinë ndaj kokainës dhe jeta e tij personale, shpesh e trazuar, la pas vetes një rrëmujë të madhe pas vdekjes së tij nga një atak kardiak në moshën 60-vjeçare, në vitin 2020.
Tani, fëmijët e tij kanë fituar ndaj motrave të Maradonës në një mosmarrëveshje për të drejtën e përdorimit komercial të emrit të tij, sipas New York Times.
Çështja ligjore u përqendrua rreth një marrëveshjeje të shpallur dy vite pas vdekjes së Maradonës nga Sanjay Wadhwani, i cili e përshkruan veten si një “superfans i Maradonës”, me motrat e futbollistit, Lili dhe Rita.
Marrëveshja përfshinte plane për të përdorur emrin e Maradonës në artikuj si pije, ushqime, rroba dhe lojëra, si dhe krijimin e një fondacioni bamirës për të ruajtur trashëgiminë e tij.
Wadhwani aplikoi në Zyrën e Pronësisë Intelektuale (IPO) për të regjistruar si markë tregtare emrin e Maradonës si dhe nënshkrimin e tij së bashku me numrin “10”, që kishte në bluzën e tij të futbollit. Ai tha se besonte se motrat kishin të drejtën ligjore për emrin pasi i ishte thënë se Maradona kishte hequr nga trashëgimia fëmijët e tij.
Aplikimi për markë tregtare u kundërshtua nga pesë prej fëmijëve të Maradonës, nga tre gra të ndryshme: Diego Maradona Sinagra; Dalma Maradona Villafañe; Dinorah Maradona Villafañe; Diego Maradona Ojeda; dhe Jana Maradona.
Teresa Perks, nga IPO, vendosi kundër aplikimit për markë tregtare duke deklaruar se “provë materiale tregon që [fëmijët] janë trashëgimtarët e futbollistit të famshëm të ndjerë Diego Armando Maradona”.
Rose Gilroy, avokate e specializuar për markat tregtare nga firma Stevens Hewlett & Perkins, e cila përfaqësoi fëmijët, e përshkroi çështjen si një “vendim të rëndësishëm”.
Ajo tha se aplikimi kishte lidhje me Sattvica SA, një kompani argjentinase e themeluar nga ish-avokati i Maradonës, e cila dështoi në përpjekjen për të kaluar markën tregtare të Maradonës në Bashkimin Europian në emrin e saj.
Ajo shtoi se një marrëveshje e pretenduar me kompaninë u shpall “e pavlefshme” në Argjentinë “për shkak të raporteve mjekësore që tregonin se Maradona nuk ishte në zotërim të plotë të aftësive mendore kur e nënshkroi atë pak para vdekjes”.
Gilroy deklaroi se aplikimi në Mbretërinë e Bashkuar ishte bërë “me qëllim të keq” në një përpjekje për të “përvetësuar trashëgiminë e Maradonës” dhe e përshkroi vendimin si “një afirmim të fuqishëm të të drejtave të trashëgimtarëve për të mbrojtur trashëgiminë e një ikone të ndjerë”.
Vendimi erdhi si një surprizë për Wadhwani, i cili tha se nuk kishte dijeni për seancën gjyqësore derisa u kontaktua nga gazeta The Times. Ai ka paraqitur një ankesë kundër vendimit.
Wadhwani, i cili pretendon se ka punuar më parë me David Beckham, ish-kapitenin e Anglisë, dhe këngëtarin Robbie Williams, tha:
“Pata mundësinë të përgatisja propozime për njerëz që ne besonim se ishin mbajtësit e të drejtave të emrit Maradona. Ambicia ime ishte të përdorja markat tregtare për të ndërtuar një fondacion që do të bënte vepra bamirësie për të nderuar trashëgiminë e Diegos dhe për të krijuar një burim të ardhurash për të përfituar trashëgimtarët – që është ajo që Diego do të kishte dashur”.
“Kalova shumë kohë me motrat e Diego Maradonës dhe isha vërtet i bindur nga ato që më thanë, se Diego Maradona kishte hequr nga trashëgimia fëmijët e tij… dhe se ai kishte caktuar të drejtat mbi emrin e tij në mënyrë që ato të kontrolloheshin nga motrat. Për sa më përket mua, kjo kishte ndodhur.”
Ai shtoi:
“Kisha një marrëveshje me motrën për të drejta të ndryshme të pronësisë intelektuale dhe për të drejtën për të përdorur emrin e tij \[të Maradonës] kudo në botë.”
Wadhwani tha se kishte paguar qindra mijëra paund Ritës. Marrëveshja përfshinte marrjen e 493 fanellave të fundit të nënshkruara nga Maradona, shumicën e të cilave ai i shiti te një tregtar kujtimesh për nga 2,000 paund secila – por kjo nuk e kompensoi plotësisht shpenzimet e tij.
“Ka mjaft njerëz që kanë humbur shumë para në disa vite të fundit anembanë botës,” shtoi ai. “E gjithë kjo histori e ngatërruar e të drejtave të Maradonës – unë kam qenë në vijën e parë për katër vjet me radhë. Tani jam bashkuar me një kompani filmash dhe dokumentarësh. Është një histori që ka gjithçka. Është plot me intriga. Gjithmonë kam vepruar me ndershmëri dhe jam i kënaqur që trashëgimtarët do të marrin këto marka tregtare.”
Top Channel