
Qendra historike e Athinës, veçanërisht lagjja Plaka, ndodhet në valën e një bumi të fortë turistik dhe vitet e fundit kërcënohet nga komercializimi i pakontrolluar.
Numri i vizitorëve që shkoi në 8 milionë në vitin 2024 , pritet të arrijë në 10 milionë këtë vit. Banorët, të cilët dikur shijonin autenticitetin e Plakës, tani përballen me “një mbytje turistike”: dyqanet dhe banesat po shndërrohen në Airbnb dhe hotele, duke shkaktuar rritje të qirave dhe humbje të identitetit lokal.
Haris Doukas-kryetari i Bashkisë së Athinës: Pikërisht për këtë arsye vendosëm të ndalojmë qiratë afatshkurtra dhe të parandalojmë akomodime të reja në këto zona specifike dhe të mbingarkuara. Njëkohësisht, krijuam një grup pune për të mbrojtur ‘lagjen e perëndive’, rajonin e Plakës.
Çdo ditë rrugët e ngushta të kësaj lagjeje janë të mbushura me turistë që enden mes kafeneve, tavernave, dyqaneve të suvenireve, kishës bizantine dhe relikteve nga antikiteti dhe periudha osmane. Por nga ana tjetër, turizmi, shtylla e ekonomisë greke, që pas viteve të vështira të krizës globale të vitit 2008 po ecën më mirë , ka sjellë edhe pakënaqësi për rritjen e çmimeve të banesave dhe rënien e konsumit.
Savvas Kogioumtsis, pronar dyqani suvenire: Që nga Covid-i, kemi parë një rritje të aktivitetit turistik me një rritje të mbërritjeve. Nëse bën një shëtitje jashtë, do të shohësh shumë njerëz. Problemi është se çdo vit shohim një rënie të konsumit. Pavarësisht numrave rekord të turizmit, shpenzimet janë në rënie.
Qeveria konservatore ka ndaluar regjistrimet e reja të apartamenteve në platformat e qirave afatshkurtra për të paktën një vit në qendër të kryeqytetit, ku ekzistonin më shumë se 12,000 qira sezonale në vitin 2024.
“Shpëtimi” i “Lagjes së Zotave” , lagjja më e vjetër e Europës që ka qenë e banuar vazhdimisht që nga lashtësia, për të mos humbur shpirtin e saj , trajtohet si temë muajt e fundit jo vetëm nga mediat vendase por edhe nga ato të huaja.
Ato theksojnë se nga njëra anë, janë investitorët dhe kompanitë e pasurive të paluajtshme që po përfitojnë nga rritja e shpejtë e turizmit, dhe nga ana tjetër, banorët që po rezistojnë dhe po përpiqen të ngrenë një barrikadë kundër zhvillimit të pakontrolluar turistik.
Top Channel