Analiza/ Takimi Trump-Putin nën hije dyshimesh, shenja të pakta që bisedimet do të sjellin paqen

07/08/2025 14:47

Në përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, Presidenti Trump është përballur me vështirësi për të bindur Moskën që të pranojë një marrëveshje, të cilën ai dikur mburrej se do ta arrinte brenda 24 orëve nga marrja e detyrës.

Pasi ka kaluar nga optimizmi në dëshpërim dhe sërish mbrapsht, udhëheqësi amerikan shpreson për një samit në ditët në vijim me Presidentin Putin, ndjekur nga bisedime trepalëshe që do të përfshinin edhe Presidentin Zelensky të Ukrainës.

“Kam qenë i zhgënjyer më parë nga ky njeri. Jam këtu për ta përmbyllur këtë punë”, tha Trump të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë, pasi i dërguari i tij, Steve Witkoff, foli me Putinin në Kremlin. Trump pretendoi se ishte bërë “përparim i madh”, por nuk dha asnjë detaj.

Bisedimet me Putinin do të shënonin samitin e parë SHBA-Rusi që nga viti 2021, kur Presidenti Biden u takua me të në Gjenevë. Trump nuk ka thënë se ku apo kur mund të zhvillohet takimi. Yuri Ushakov, një këshilltar i Kremlinit, tha të enjten se të dy udhëheqësit do të takohen “në ditët në vijim”, por edhe ai nuk dha detaje të mëtejshmea, sipas The Times.

Edhe pse Trump ka thënë se mund të vendosë sanksione ndaj Moskës dhe tarifa ndaj partnerëve të saj tregtarë të mbetur, përfshirë Kinën dhe Indinë, toni i komenteve të tij të mërkurën në mbrëmje ishte dukshëm më ndryshe nga ai i muajit të kaluar, kur ai akuzoi Putinin se po fliste “marrëzira” për luftën.

“Trump ka ndryshuar sërish qëndrimin e tij ndaj Rusisë,” shkruhej në titullin e gazetës ruse Komsomolskaya Pravda të enjten.

Për Putinin, një samit do të përbënte konfirmimin përfundimtar se Perëndimi ka dështuar ta izolojë Moskën.

Megjithëse Zelensky ka shprehur dëshirën për t’u takuar me Putinin për të vendosur kushtet për një “paqe të drejtë”, Kievi ka shprehur më parë shqetësimin se Moska është e interesuar për një takim të tillë vetëm nëse ai rezulton me dorëzimin e Ukrainës. “[Rusët] e thonë hapur: ‘Së pari pranoni kërkesat tona — kapitullimin — dhe vetëm atëherë organizohet takimi i udhëheqësve. Dhe më pas punoni për zbatimin e atyre kërkesave’,” tha këtë muaj Sergiy Kyslytsya, zëvendësministri i jashtëm i Ukrainës për Kyiv Independent.

Ushakov tha të enjten se Kremlini nuk ishte i interesuar të fliste me Zelenskyn, duke treguar se Moska nuk pret që Kievi të dorëzohet, pavarësisht çdo presioni që mund të vijë nga Uashingtoni.

Ai shtoi: “Sa i përket një takimi trepalësh, për të cilin për ndonjë arsye Uashingtoni foli dje, kjo ishte thjesht një gjë e përmendur nga pala amerikane gjatë takimit në Kremlin. Por kjo nuk u diskutua. Pala ruse nuk e komentoi fare këtë opsion.”

Pavarësisht optimizmit të ripërtërirë të Trump, nuk ka asnjë tregues se Putini po mendon t’i japë fund luftës. Raporte të pakonfirmuara sugjerojnë se ai mund të jetë i gatshëm të pranojë një ndalim të sulmeve ajrore, por mbetet e paqartë për sa kohë dhe nëse një moratorium i tillë do të përfshinte objektivat ushtarake, përveç atyre civile.

Sigurisht, kjo situatë është parë edhe më parë. Në shkurt, Trump tha se shpresonte të takohej me Putinin “shumë shpejt” dhe se besonte që lideri rus donte t’i jepte fund luftimeve. Ai nuk shpjegoi atëherë dhe as më vonë se çfarë, sipas tij, po e pengonte Putinin ta bënte këtë.

Dëshmitë sugjerojnë se Trump dhe ekipi i tij negociator nuk kanë njohuri të thelluara mbi konfliktin. Në mars, Witkoff nuk ishte në gjendje të përmendte të gjitha rajonet ukrainase që Moska pretendon si territor të saj.

Marco Rubio, sekretari amerikan i shtetit, tha të mërkurën në mbrëmje: “Për herë të parë ndoshta që nga fillimi i kësaj administrate, kemi disa shembuj konkretë të llojeve të gjërave që Rusia do të kërkonte për t’i dhënë fund luftës.” Megjithatë, Moska i ka renditur kërkesat e saj, që përfshijnë dorëzimin e qyteteve dhe zonave të Ukrainës lindore dhe jugore, në shumë raste më parë.

Putini e ka paraqitur pushtimin e tij të Ukrainës si një konflikt jetik për mbijetesën e vendit të tij, njësoj si Lufta e Dytë Botërore, ose Lufta e Madhe Patriotike siç njihet në Rusi. Më shumë se 20 milionë qytetarë sovjetikë vdiqën në luftën kundër nazistëve. Nëse Putini beson se Moska është përfshirë në një betejë të ngjashme kundër një Ukraine të mbështetur nga NATO, as shkalla e humbjeve ruse dhe as kërcënimi i sanksioneve të reja nuk do ta ndalojnë atë nga ndjekja e asaj që ai e sheh si fatin e tij. Luftëra të tilla nuk përfundojnë me tarifa, sado të rënda qofshin ato.

Për Trump dhe ekipin e tij, lufta është një çështje politike e jashtme. Për Putinin, është një konflikt me rrënjë të thella që kanë formuar pjesën më të madhe të jetës së tij të rritur. Dokumente të reja të zbuluara tregojnë se që në fillim të viteve 1990, Putini ka besuar se pjesë të Ukrainës janë tokë ruse.

Putini foli me konsullin e përgjithshëm gjerman në Shën Petersburg në vitin 1994, vetëm tre vite pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Ai ishte zëvendëskryetar bashkie i qytetit në atë kohë. Sipas një shënimi të takimit në arkivat e Ministrisë së Jashtme gjermane, i zbuluar këtë javë, presidenti i ardhshëm kishte thënë: “Krimea, Ukraina lindore dhe Kazakistani verior — të paktën këto zona — kurrë nuk kanë qenë territor i huaj për Rusinë, por gjithmonë kanë qenë pjesë e tokës ruse. Është e pamundur t’i shpjegosh një rusi se këto tashmë konsiderohen të huaja.”

Bindje të tilla janë në thelb të botëkuptimit të Putinit, një botëkuptim që përforcohet nga jehona e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, ish-agjentë të KGB-së. Në vitin 2014, gjatë mandatit të tij të tretë si president, Putini pretendoi se Kazakistani modern, një republikë ish-sovjetike, ishte një shtet artificial. Ai përdori të njëjtën retorikë për të justifikuar pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022.

Top Channel