Zhduket biznesmeni turk rrugës për në Mykonos! Jahti i tij u gjet i shkatërruar në ishullin grek

06/08/2025 10:59

Mister i madh ka mbuluar zhdukjen e biznesmenit turk Halit Yukay, i cili është shpallur i humbur që nga mbrëmja e së shtunës, kur u nis me jahtin e tij luksoz “Graywolf” nga qyteti turk Yalova me destinacion ishullin grek të Mykonos.

Jahti i 43-vjeçarit, themelues dhe pronar i kompanisë Mazu Yachts, u gjet i shkatërruar dhe gjysmë i mbytur në det pranë ishullit Prokonisos, në detin e Marmarasë, të martën në mesditë nga roja bregdetare turke.

Familjarët e biznesmenit ngritën alarmin pas mungesës së kontaktit me të, që prej nisjes për në ishullin grek. Autoritetet turke u informuan zyrtarisht të hënën në mbrëmje rreth orës 23:40, ndërsa një anije tregtare raportoi të martën rreth orës 14:30 për prani mbetjesh të një mjeti lundrues, që më pas u identifikua si jahti Graywolf i Yukay.

Në operacionin e kërkimit janë angazhuar helikopterë, anije të rojes bregdetare dhe zhytës, por deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të biznesmenit.

Halit Yukay, lindur në vitin 1982, është themeltari i kompanisë “Mazu Yachts”, e cila është e njohur në Turqi për ndërtimin e jahteve luksoze me dizajn modern dhe teknologji të avancuar. Ai nisi karrierën e tij në kantierë detarë dhe në vitin 2011 realizoi ëndrrën për të krijuar kompaninë e tij.

Lajmi për zhdukjen e tij ka tronditur botën e industrisë së jahteve në Turqi dhe më gjerë, ndërsa autoritetet vazhdojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes misterioze.

Top Channel