Trump sulmon demokratët për mosmiratimin e ambasadorëve në Senat: Shantazhues që urrejnë vendin e tyre

06/08/2025 16:55

Presidenti amerikan, Donald Trump ka nisur një sulm të drejtpërdrejtë ndaj demokratëve të cilët kanë ngrirë emërimin e dhjetëra zyrtarëve, përfshirë ambasadoren e re të SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle.

Në një postim në rrjetin social Truth Social, ai fillimisht sulmoi udhëheqësin e pakicës në Senat, Chuck Schumer, i cili, siç pretendon Trump, po shantazhon miratimin e dy miliardë dollarëve fonde për të ecur përpara me procesin e emërimit.

“Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë. Nuk ka pasur kurrë, në historinë e Shteteve të Bashkuara, një vonesë të tillë. Ata janë shantazhues!”, shkruan Trump dhe u kërkon republikanëve të miratojnë masa ligjore për të kapërcyer këto pengesa.

Kujtojmë se miratimi përfundimtar i emërimeve të ambasadorëve bëhet nga Senati.

Emërimi i Kimberly Guilfoyle ka mbetur gjithashtu në këtë fazë në mënyrë që ajo të mund të marrë detyrat në Greqi.

Postimi i plotë i Trump:

“Senatori i “rrahur” politikisht, Chuck Schumer i ankuar, dëshiron që republikanët të paguajnë, si shantazh, dy miliardë dollarë në mënyrë që demokratët e së majtës radikale të miratojnë qindra emërimet e Trump që kanë qenë në pritje për muaj të tërë dhe janë gati për t’u zbatuar. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë. Nuk ka pasur kurrë një vonesë të tillë në historinë e Shteteve të Bashkuara. Ata janë shantazhues! Republikanët duhet të krijojnë legjislacion për t’u shpëtuar këtyre banditëve që e urrejnë vendin. Lëvizni shpejt!!! Le ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe”

 

 

Top Channel