SHBA/ Mister në Long Island, trupi i themelueses së “East x East” gjendet pa jetë në një jaht luksoz

06/08/2025 23:00

Martha Nolan-O’Slattara, një biznesmene 33-vjeçare dhe themeluese e markës së rrobave të banjës East x East, është gjetur e vdekur në një varkë në Montauk Yacht Club në Long Island.

Nolan-O’Slattara, e cila jetonte në Manhattan dhe ishte shumë aktive në rrjetet sociale, ishte me origjinë nga Irlanda dhe ishte zhvendosur në Nju Jork për të ndjekur ëndrrat e saj në fushën e biznesit.

Sipas Policisë së Qarkut Suffolk, një burrë telefonoi shërbimin emergjent 911 pak pas mesnatës së të martës, duke raportuar praninë e një gruaje të pavetëdijshme në një varkë. Disa kalimtarë të rastësishëm u përpoqën të jepnin ndihmën e parë, por mjekët e urgjencës që mbërritën në vendngjarje e shpallën të vdekur.

Policia konfirmoi identitetin e viktimës të mërkurën. Çështja është marrë në shqyrtim nga Departamenti i Hetimeve për Vrasje, megjithëse Zyra e Mjekut Ligjor të Qarkut Suffolk nuk ka përcaktuar ende shkakun zyrtar të vdekjes. Autopsia pritet të kryhet në ditët në vijim.

Sipas një raporti të New York Post, një anëtar i Klubit të Jahteve në Montauk pretendon se ka dëgjuar zëra pranë skelës
vonë në mbrëmjen e së hënës, disa orë para se të gjendej trupi. Deri tani, autoritetet nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë dëshmi, por janë duke shqyrtuar të gjitha pistat e mundshme.

Hetimet janë në zhvillim dhe autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të mëtejshme mbi rrethanat e vdekjes së Nolan-O’Slattara.

Top Channel