Rusia ka dyfishuar sulmet në Ukrainë, analiza e BBC: Gjithçka nisi që nga janari, pas inaugurimit të Trump si president

06/08/2025 12:42

Rusia ka përdorur dyfishin e numrit të dronëve dhe raketave kundër Ukrainës që kur Presidenti Donald Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë në janar, sipas një analize të BBC, pavarësisht thirrjeve të Trump për armëpushim.

Gjatë gjithë fushatës së tij, Trump u zotua se do t’i jepte fund luftimeve brenda vetëm një dite nëse do të kthehej në detyrë. Ai pretendoi se pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia mund të ishte shmangur nëse do të kishte qenë në detyrë një president që Kremlini “e respektonte”.

Megjithatë, në përpjekjet e tij për të arritur një armëpushim, Trump është akuzuar herë pas here nga kritikët se favorizon Rusinë, dhe administrata e tij ka ndaluar furnizimet e municioneve të mbrojtjes ajrore dhe furnizimeve të tjera ushtarake në Ukrainë në dy raste të ndara.

Sipas inteligjencës ushtarake ukrainase, ndërtimi i raketave balistike në Rusi u rrit me 66% gjatë vitit të kaluar.

Sulmet e Rusisë arritën kulmin në fillim të muajit të kaluar, kur Moska lëshoi 748 dronë dhe raketa drejt Ukrainës më 9 korrik, sipas të dhënave të Forcave Ajrore Ukrainase.

Ndërsa Trump ka shprehur zemërim ndaj sulmeve në rritje të Rusisë në disa raste, zhgënjimi i tij nuk duket se ka pasur ndonjë ndikim në strategjinë e Moskës, thotë BBC. Më 25 maj, Rusia nisi sulmin e saj më të madh të regjistruar dhe të pasuar nga 14 të tjera.

Trump është përgjigjur duke kërkuar që Kremlini të arrijë një marrëveshje paqeje me Ukrainën deri më 8 gusht.

Rritja e sulmeve të Moskës sakaq kanë ripërtërirë thirrjet që SHBA-të të dërgojnë furnizime të reja me bateri anti-ajrore Patriot në Ukrainë. Patriotët janë sistemet më të afta dhe të shtrenjta të mbrojtjes ajrore që ka Ukraina.

Çdo bateri Patriot kushton rreth 1 miliard dollarë dhe çdo raketë kushton gati 4 milionë dollarë. Trump ka përmbysur pauzat e mëparshme të furnizimit dhe ka rënë dakord t’u shesë armë anëtarëve të NATO-s, të cilët nga ana tjetër pritet të furnizojnë me armë Kievin

Top Channel