
Kryedemokrati Sali Berisha, u ndal sërish te zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit, për të cilat këmbëngul se ishin “të vjedhura”.
Fajtor bën kryeministrin dhe kryesocialistin Edi Rama, kur thotë se me të në krye nuk mund të ketë zgjedhje të lira. Në konferencën e radhës për mediat, premtoi se Partia Demokratike do të angazhohet që shqiptarët të hedhin të lirë votën e tyre në kutitë e votimit.
“Opozita dhe shqiptarët duhet ta kenë dhe e kanë të qartë se kurrë me Edi Ramën nuk mund të votojnë si qytetarë të lirë. Largimi i Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve që qytetarët shqiptarë të vendosin me vullnetin e tyre për qeverinë e ardhshme.
Ndaj dhe PD do bëjë çdo gjë për të mobilizuar shqiptarët të qëndrojnë për votën e tyre, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë diasporën, ndaj përfaqësuesve të narkoshtetit në diasporë. Ata janë përfaqësuesit e shtetit armik të votës së lirë të shqiptarëve. Dhe kemi të bëjmë me një diktaturë autokratike, e cila ka si forcë lëvizëse drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve. Ndaj dhe qëndresa e përgjithshme e qytetarëve shqiptarë është rrugëdalja e vetme nga kjo situatë“, tha ai.
Top Channel