Nis ndërtimi i urës që do të bashkojë Italinë me Siçilinë, projekti më i madh infrastrukturor në dekada

06/08/2025 18:12

Ndërtimi i urës që do të lidhë ishullin e Siçilisë me Italinë kontinentale pritet të nisë para përfundimit të kësaj vere, sipas njoftimit të sotëm nga Ministria italiane e Infrastrukturës, nën drejtimin e qeverisë Meloni.

Projekti ka një kosto totale prej 13.5 miliardë euro, ndërsa përfundimi i tij parashikohet për vitet 2032–2033.

Ura do të jetë mbi 3.6 kilometra e gjatë, dhe përshkimi i saj me automjet do të kërkojë rreth 15 minuta. Struktura do të mbështetet nga dy kulla të larta 399 metra, të vendosura në të dy skajet e saj.

E ndërtuar në një zonë sizmike, ura është projektuar për të përballuar tërmete deri në magnitudën 7.7 si dhe erëra me shpejtësi deri në 200 km/h.

Ky projekt përfaqëson një “bast personal” të Ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, Matteo Salvini, i cili ka qenë një nga mbështetësit më të fortë të këtij ndërtimi. Sipas tij, ura do të ketë ndikim të rëndësishëm ekonomik, sidomos në rritjen e punësimit. Parashikohet që ndërtimi të krijojë deri në 120,000 vende të reja pune, si dhe të përmirësojë ndjeshëm lidhjet e Siçilisë me pjesën tjetër të vendit.

Kritika nga opozita dhe shqetësime mjedisore
Megjithatë, opozita ka shprehur kritika të forta ndaj projektit, duke paralajmëruar për rrezikun e infiltrimit të kontraktorëve të lidhur me organizatat mafioze. Sipas tyre, përparësi duhet t’u jepet investimeve në infrastrukturën ekzistuese, sidomos në Italinë Jugore, ku rrjetet hekurudhore dhe rrugore janë në gjendje të rënduar.

Nga ana tjetër, organizatat mjedisore kanë ngritur shqetësime për ndikimin e madh në mjedisin natyror të rajonit, duke paralajmëruar se çmimi ekologjik mund të jetë i papranueshëm.

Kosto dhe financim
Tarifa që do të paguajnë drejtuesit e automjeteve për të kaluar urën ende nuk është përcaktuar, por Ministria e Transportit ka premtuar se “çmimet do të jenë konkurruese dhe të arsyeshme”.

Projekti do të financohet me fonde kombëtare dhe evropiane. Një pjesë e kostos do të konsiderohet si shpenzim në funksion të mbrojtjes, pasi infrastruktura do të shërbejë edhe për qëllime strategjike në rast konflikti. Në këtë mënyrë, qeveria synon të afrojë objektivin për të ndarë 5% të PBB-së për shpenzimet e mbrojtjes.

Sipas menaxherëve të projektit, “ura e Mesinës” do të ketë një jetëgjatësi prej të paktën 200 vjetësh, duke u renditur si ura më e madhe në botë në kategorinë e saj.

Top Channel