
Pas një “takimi të mbyllur” tre-orësh të mbajtur dje, të udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu, në të cilin morën pjesë Ministri i Mbrojtjes Israel Katz dhe Ministri për Çështje Strategjike Ron Dermer, u mor vendimi për të pushtuar plotësisht Rripin e Gazës.
Deri tani, ushtria izraelite ka marrë nën kontroll rreth 75% të territorit të enklavës. Vendimi i fundit parashikon avancimin në 25% e mbetur, që përfshin zonat më të dendura të populluara – Qytetin e Gazës në veri dhe qendrat urbane në pjesën qendrore të enklavës. Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Izraelit pritet të mblidhet nesër (7 gusht), në orën 18:00, për të vendosur përfundimisht mbi mënyrën e veprimit në Gazë.
Kundërshtime të forta nga shefi i ushtrisë
Një ndër kundërshtimet më të forta ndaj këtij vendimi erdhi nga shefi i ushtrisë, gjeneralmajor Eyal Zamir, i cili gjatë takimit propozoi alternativa operative që konsistonin në rrethimin e zonave të mbetura të enklavës me qëllim ushtrimin e presionit ndaj Hamasit për t’u çarmatosur dhe për të liruar pengjet.
Zonat që mbeten jashtë kontrollit ushtarak besohet se strehojnë një numër të madh civilësh si dhe pengje izraelite të gjalla, të mbajtura nga Hamasi. Për këtë arsye, Zamir paralajmëroi për rreziqe të mëdha dhe kërkoi një qasje më të kujdesshme.
Megjithatë, kryeministri Netanyahu i hodhi poshtë kategorikisht këto propozime, duke kritikuar publikisht gjeneralin për “diskreditim të qeverisë”, pasi ishte bërë e ditur në media se Zamir po konsideron dorëheqjen. Ministri i Mbrojtjes Katz tentoi të qetësojë klimën e tensionuar me deklaratën se “në një takim të mbyllur, shefi i ushtrisë ka të drejtë dhe detyrimin të shprehë lirisht mendimet e tij”.
Vendimi përfundimtar pritet të merret nesër gjatë mbledhjes së kabinetit të kufizuar, i cili merret me çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes. Deri atëherë, dhe përveç të papriturave, shefi i ushtrisë do të paraqesë plane të reja operative, sipas sugjerimeve të Netanyahut.
Vendimi për pushtimin e plotë të Gazës ka shkaktuar reagime të ashpra nga opozita. Udhëheqësi i opozitës kryesore, Yair Lapid, në një intervistë për radion shtetërore, paralajmëroi për pasoja të rënda. Ai theksoi se përveç reagimeve të ashpra ndërkombëtare dhe humbjeve të mëdha që mund të pësojë ushtria dhe popullata civile, ekziston rreziku real që pengjet të humbasin jetën – qoftë nga ekzekutimet nga Hamasi, qoftë nga zjarri ushtarak apo nga mungesa e ndihmës.
Shpallja e vendimit të djeshëm shkaktoi një protestë masive në qendër të Tel Avivit, të organizuar nga të afërmit e pengjeve nën sloganin “Pushtimi i Gazës do të thotë dënim me vdekje për pengjet”. Nëna e një pengjeje, në një intervistë për televizionin shtetëror, i bëri thirrje qeverisë që “të bëjë gjithçka për të liruar pengjet, t’i japë fund luftës dhe të pranojë se Izraeli është mundur”.
Protesta përfundoi me përplasje të dhunshme dhe arrestimin e 16 demonstruesve.
Top Channel