“Gazetar pa pagë, demokraci pa zë”/ Radio Televizionit të Kosovës nuk i alokohet pjesa e dytë e buxhetit, punonjësit në protestë: Mos na fikni zërin publik

06/08/2025 13:03

“Gazetar pa pagë, demokraci pa zë”, “Buxhet për RTK-në, jo heshtje për të vërtetën”, “Mos na e fikni zërin publik”, ishin vetëm disa nga mesazhet që u panë në protestën e organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës para Qeverisë së Kosovës.

Më shumë se 700 punonjës të transmetuesit të vetëm publik në Kosovë kanë mbetur pa paga për muajin korrik, për shkak se RTK-së nuk i është alokuar pjesa e dytë e buxhetit për këtë vit. Buxheti vjetor i RTK-së kap vlerën e 8.9 milionë eurove.

Kriza financiare në RTK është shkaktuar për shkak të moskonsitituimit të Kuvendit të Kosovës dhe mungesës së themelimit të Komisionit parlamentar për buxhet, ka thënë më herët transmetuesi publik.

Gazetari Gëzim Bimbashi tha se protesta e sotme është për mbrojtjen e RTK-së si mediumi i vetëm publik në Kosovë, për mbrojtjen e dinjitetit të gazetarëve dhe ky tubim “nuk ka asnjë ngjyrim politik”, teksa renditi kërkesat që ka sindikata.

“Alokimi i menjëhershëm i buxhetit për RTK-në, kompletimi i Bordit të RTK-së nga Kuvendi i ri, shpallja e konkursit për drejtor të përgjithshëm me respektim të procedurave, mbështetje serioze dhe e qëndrueshme për RTK-në nga Kuvendi si themelues i RTK-së, rritja e buxhetit për vitin 2026, përfshirë rritja e pagave për punëtorët”, tha Bimbashi.

Sipas Bimbashit, punëtorët e RTK-së po vazhdojnë punën edhe pa paga, por theksoi se “e drejta për pagë është e garantuar me ligj dhe mund të jetë çështje vullneti apo vonesash politike”.

Ai kërkoi nga menaxhmenti i RTK-së që të gjejë një zgjidhje për situatën e krijuar, teksa shtoi se nuk përjashtohen grevat e punëtorëve, bojkotimi i ngjarjeve politike dhe që protesta të zhvendoset para ambienteve të RTK-së.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, tha se ky asociacion mbështet plotësisht punonjësit e transmetuesit publik, duke i bërë thirrje Qeverisë që të ndajë buxhetin, duke thënë se kjo situatë ka qenë e shmangshme.

AGK beson se kjo krizë ka qenë e shmangshme dhe fatkeqësisht ka mbetur vetëm pjesë e vullnetit politik që buxheti të ndahet. Kemi precedent në të kaluarën dhe thirrja jonë është ekskluzivisht për Qeverinë e Kosovës që e ka në dorë që të alokojë buxhetin për RTK-në për gjashtë muajt e ardhshëm, në mënyrë që punonjësit të marrin paga dhe të vazhdojnë punën e tyre të papenguar”, tha Rexha.

Rexha tha se transmetuesi publik është përballur “me presion politik” për vite me radhë, por sipas tij, tani po përballet me “presion financiar” që shtoi se është “formë e re e presionit politik”.

Organizata vendore dhe ndërkombëtare që merren me të drejtat e gazetarëve, por edhe Bashkimi Evropian së voni u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të gjejnë një zgjidhje për krizën financiare në RTK.

BE-ja më 24 korrik u bëri thirrje autoriteteve kompetente që të sigurojnë financim të qëndrueshëm dhe afatgjatë për RTK-në si dhe të mundësojnë funksionimin e papenguar të transmetuesit publik.

Teksa RTK-ja po përballet me krizë financiare, deputetët e legjislaturës së re të dalë nga zgjedhjet e shkurtit janë në pritje të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me konstituimin e Kuvendit, pasi paraprakisht ata nuk arritën që deri më 26 korrik, afat i vendosur nga Kushtetuesja, të konstituojnë organin ligjvënës.

Më pas, Kushtetuesja u tha deputetëve që nga 27 korriku deri më 8 gusht të mos ndërmarrin asnjë veprim dhe vendim lidhur me konstituimin e Kuvendit, teksa gjykata po trajton dy lëndë të dërguara për këtë çështje nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Top Channel