
Në Kinën jugore është shpallur alarm shëndetësor pas shpërthimit të virusit Chikungunya, me mbi 7,000 raste të konfirmuara vetëm në provincën Guangdong që nga muaji korrik.
Autoritetet kineze kanë ndërmarrë masa të rrepta kufizuese, të cilat rikujtojnë periudhën e pandemisë së COVID-19.
Qyteti Foshan, një nga më të prekurit, ka urdhëruar që pacientët me chikungunya të qëndrojnë në spital, ku përdoren rrjeta kundër mushkonjave mbi shtretër. Lirimi i tyre bëhet vetëm pas një testi negativ ose pas një jave hospitalizimi.
Çfarë është virusi Chikungunya?
Virusi Chikungunya transmetohet përmes pickimit të një mushkonje të infektuar dhe nuk përhapet nga personi në person. Simptomat zakonisht shfaqen brenda 3-7 ditësh nga infektimi dhe përfshijnë:
Ethe të larta
Dhimbje të forta të kyçeve (që mund të zgjasin me muaj apo vite)
Skuqje
Dhimbje koke dhe muskujsh
Ënjtje të kyçeve
China’s Guangdong Province hit with a major health crisis, following reports of more than 7000 cases of daytime-active Aedes mosquitoes-borne Chikungunya virus.
The sudden outbreak has prompted intense measures from the government and local authorities in the Foshan City, where… pic.twitter.com/PkyNUyB2XV
— SIKAOFFICIAL🦍 (@SIKAOFFICIAL1) August 5, 2025
Në shumicën e rasteve, pacientët shërohen brenda një jave, por personat më të rrezikuar për komplikacione janë të moshuarit, të porsalindurit dhe personat me sëmundje kronike. Aktualisht nuk ka kurë për këtë virus, dhe vdekjet janë të rralla.
Autoritetet kanë ndërmarrë një sërë masash parandaluese, përfshirë: Inspektime të shtëpive dhe gjobitje deri në 10,000 juanë (rreth 1,200 euro) për ata që nuk heqin ujin e ndenjur nga ambiente si vazo apo shishe bosh.
Lëshim të “mushkonjave gjigante” që gllabërojnë mushkonjat e zakonshme që transmetojnë virusin. Ushtri peshqish që ushqehen me larvat e mushkonjave, me mbi 5,000 të tillë të lëshuar në liqenet e Foshanit javën e kaluar.
Përdorimi i dronëve për të identifikuar burime të mundshme uji të ndenjur në zonat urbane.
Megjithëse shumica e rasteve janë të lehta dhe 95% e pacientëve janë shëruar brenda një jave, shpërthimi ka shkaktuar frikë dhe debat publik. Në rrjetet sociale kineze, disa qytetarë i kanë krahasuar këto masa me kufizimet ekstreme të pandemisë së COVID-19, duke vënë në dyshim nevojën për karantinim të detyruar.
“Nuk është se të infektuarit do të kafshojnë të tjerët”, ka shkruar një përdorues në platformën Weibo.
Përveç Foshanit, të paktën 12 qytete të tjera në Guangdong kanë raportuar raste, me 3,000 raste të reja vetëm javën e fundit. Hong Kongu ka regjistruar rastin e parë të importuar – një 12-vjeçar që kishte vizituar Foshanin dhe ishte kthyer me simptoma.
Virusi Chikungunya u identifikua për herë të parë në Tanzani në vitin 1952. Sot, ai është përhapur në mbi 110 vende, kryesisht në Afrikën Subsahariane, Azinë Juglindore dhe Amerikën Latine. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, parandalimi më efektiv është eliminimi i vendeve me ujë të ndenjur, ku mushkonjat shumohen.
Top Channel