
Turizmi në vendin tonë është goditur rëndë, për shkak të zhvlerësimit të monedhës europiane dhe asaj amerikane, sipas kryedemokratit Sali Berisha.
Sipas Berishës, euro është zhvlerësuar me 35%, duke bërë që turistët e huaj të stepen. Në deklaratën për mediat këtë të martë, Berisha foli ‘për pastrim parash’, që po dëmtojnë turizmin.
“Turizmi është dështimi më spektakolar ekonomik i narkoshtetit shqiptar. Narko-euro është toksina e vërtetë e ekonomisë dhe turizmit të Shqipërisë. Potenciali turistik i vendit është i jashtëzakonshëm. Brigjet e lumenjve, detrave dhe liqeneve të saj janë pasuri përrallore. Nga viti 2005 deri në vitin 2012, pas ndërtimit të infrastrukturës rrugore dhe asaj dixhitale, numri i turistëve u rrit nga 300 mijë që ishte në vitin 2005 në 4 milionë e 700 mijë. Numri i turistëve ka vazhduar të rritet në mënyrë të padiskutueshme. 2-3 vitet e fundit është paraqitur një numër prej 10 milionësh, i cili përbën një mashtrim të vërtetë sepse përfshin të gjithë pasagjerët shqiptarë dhe rajonalë të linjave ajrore. Por, pavarësisht nga ky mashtrim i madh, numri i turistëve është rritur në mënyrë të pamohueshme. Mirëpo viti i kaluar shënoi një rënie drastike të turistëve në brigjet, plazhet e detrave dhe liqeneve të Shqipërisë. Kjo rënie drastike vazhdoi këtë vit akoma më e thellë.
Shkaku i kësaj rënie, në mënyrën më të pabesueshme, por edhe të pandershme dhe të padenjë, fshihet nga narkoqeveria, fshihet nga mediat e narkoqeverisë, fshihet nga ekonomistët e vendit, mediat e vendit dhe operatorët turistikë. E bëjnë këtë nga padija apo nga frika dhe kodi i mafies, unë nuk mund ta them. Narko-euro është toksina e vërtetë e turizmit. Narko-euro është toksina e vërtetë e ekonomisë shqiptare. Është e paimagjinueshme se si në kodin e heshtjes, kjo nuk u thotë shqiptarëve. Rënia e vlerës së euros në 35 përqind, rënia e vlerës së dollarit në 35 përqind, rënie e shpejtë dhe instalimi i saj në këtë nivel, bëri që turisti që më parë me 100 euro blinte shërbimet dhe mallrat e caktuara, një vit më pas duhet të shpenzonte në Shqipëri 135 euro. Të fshehësh këtë, bëhesh bashkëfajtor në një krim.
Pra, edhe njëherë, zhvlerësimi që iu bë monedhës europiane dhe amerikane në Shqipëri nga kontejnerët me euro dhe dollarë të narkosve shqiptarë, zhvlerësimi prej 35 përqind, goditi turizmin në mënyrën më të egër, pasi çdo turist në Shqipëri duhet të shpenzonte për të njëjtat shpenzime, të njëjta blerje, 35 më shumë euro”.
“Narkoeuro bëri që të falimentojnë qindra mijëra sipërmarrje prodhimi dhe eksporti në Shqipëri në të gjitha fushat”, vijoi Berisha më tej.
“Sot, në dyqanet e shqiptarëve, 80 përqind e frutave, zarzavateve dhe ushqimeve janë të importuara. Kjo bëri që ushqimet në Shqipëri të jenë 17 përqind më të larta se në BE. Kjo bëri që çmimet në lokalet, restorantet, baret e vendit, automatikisht të rriten dhe të jenë më të larta se në mesataren e BE. Kjo bëri që familjet shqiptare të detyrohen të shpenzojnë shumë më tepër për ushqimin, por njëherazi edhe turistët që sistemohen në apartamente sepse gatimi u del shumë i kushtueshëm me ushqimet që blejnë. Të fshehësh narkoeuron si toksinë e turizmit dhe ekonomisë shqiptare, bëhesh bashkëfajtor me narkosit dhe narkoshtetin. Nuk është vetëm kjo, ka një mekanizëm të tretë se si narkoeuro, toksinë e turizmit, po e dëmton në mënyrë të pariparueshme turizmin në Shqipëri.Narkost, këta lejtnantë të regjimit, që ndërtojnë resorte, hotele, restorante ultraluksoze, nuk kanë qëllim kryesor fitimin me investimin e tyre. Qëllimi i tyre më madhor është larja e parave të krimit të tyre. Ata vendosin çmime nga më absurdet. Ata deformuan në mënyrë të pamëshirë turizmin shqiptar me shezlonge nga 100 gjer në 500 euro. Me kabana gjer në 2 mijë, 4 mijë euro”
Top Channel