
Mirlind Daku po shndërrohet në një nga emrat më të spikatur të këtij fillimsezoni në kampionatin rus.
Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka konfirmuar formën e shkëlqyer duke shënuar dygolësh në ndeshjen e tretë radhazi me fanellën e Rubin Kazanit. Në përballjen e sotme ndaj Soçit, Daku ishte protagonist që në minutat e para. Pas një prekjeje me dorë në zonë nga një mbrojtës kundërshtar, ndërhyrja e VAR-it i dha të drejtë skuadrës së tij. Nga pika e bardhë, shqiptari nuk fali, duke i dhënë avantazhin Rubin Kazanit që në minutën e 12-të.
Ky ishte goli i tretë rresht për Dakun në ndeshje zyrtare: më parë kishte shënuar ndaj Zenit Shën Petersburgut në kampionat dhe ndaj Orenburgut në Kupën e Rusisë. Me këtë ecuri, ai po tregon jo vetëm instinkt të fortë golashënuesi, por edhe stabilitet e rëndësi në skemën e trajnerit.
Në minutën e 78 erdhi edhe goli i dytë personal i sulmuesit kur pas një goditje dënimi të ekzekutuar me shpejtësi, ai bëri një ndalim perfekt të topit, të cilin më pas e kaloi me mjeshtëri mbi portierin duke dyfishuar shifrat.
Forma e Dakut është një lajm i shkëlqyer edhe për Sylvinhon dhe Kombëtaren shqiptare, që shpresojnë ta kenë në kulmin e vet në sfidat e rëndësishme të vjeshtës.
Top Channel