Përdorte identitet të rremë për të mashtruar qytetarët, arrestohet në Tiranë 21-vjeçari

05/08/2025 13:04

Një 21-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi mashtronte qytetarët me identitet të rremë.

Ai u arrestua në flagrancë, në momentin që shkoi për t’i marrë një shumë parash, një 26-vjeçareje, të cilën e kishte mashtruar dhe më parë.

Pas kallëzimit të një shtetaseje, se ishte mashtruar nga një shtetas, të cilit i kishte dhënë disa herë, shuma parash, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë nisur punën për kapjen e autorit, i cili përdorte identitet të rremë, si dhe për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale.

Si rezultat i veprimeve operacionale, të kryera në kuadër të operacionit “Strategjia”, u arrestua në flagrancë, teksa po i merrte një tjetër shumë parash, denoncueses, shtetasi E. H., 21 vjeç, banues në Paskuqan.

Vijojnë hetime për zbardhjen dhe dokumentimin e rasteve të tjera të mashtrimit që mund të ketë kryer 21-vjeçari.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel