Nxehet merkato në Itali/ Interi pret Lookman, lojtari prish marrëdhëniet me Atalantën, Juve nuk gjen zgjidhje për Vlahoviç, Jashari te Milani çështje orësh

05/08/2025 12:54

Merkatoja e verës për skuadrat italiane është futur në javë vendimtare. Interi vazhdon “telenovelën” me Ademola Lookman, që ka prishur marrëdhëniet me Atalantën dhe pret të vishet zikaltër.

Juventusi është i bllokuar mes dëshirës për të mbajtur Kolo Muanin dhe vështirësisë për të shitur Vlahovic, që refuzon ofertat. Ndërkohë, Milani po afron gjithnjë e më shumë Ardon Jasharin, pas një oferte vendimtare që ka bindur Bruggen. Të tre klubet janë në prag të lëvizjeve që mund të ndryshojnë fytyrën e Serie A.

Lookman prish marrëdhëniet me Atalantën, gjobë në horizont! Interi përgatit ofertën e re

Ademola Lookman vazhdon luftën e tij për t’u transferuar te Interi. Dje ai mungoi në stërvitjen në Zingonia dhe sot bëri të njëjtën gjë. Çfarë ndodh tani? Mungesa e nigerianit në stërvitje nuk e ka befasuar Atalantën, por ka rritur më tej tensionin mes palëve. Drejtuesit e klubit nuk e kanë fshehur irritimin për sjelljen e lojtarit, i cili është në “thyerjen” e tretë pas zhdukjes nga rrjetet sociale dhe mesazhit provokues në Instagram, dhe tani po mendojnë të marrin masa disiplinore: hipoteza e një gjobe për mungesat e pajustifikuara është shumë reale. Bergamaskët gjithsesi mbeten të  palëkundur në qëndrimin e tyre dhe nuk kanë ndërmend t’i nënshtrohen presioneve të jashtme, duke theksuar se kohët dhe mënyrat për një shitje të mundshme do të përcaktohen ekskluzivisht nga klubi.

Ndërkohë, Interi pret. Nigeriani është zgjedhja e parë e Marottas dhe Ausilios, të cilët kanë vendosur të presin edhe disa ditë, të sigurt nga dëshira e lojtarit, që ka refuzuar Napolin dhe Atletico Madridin, duke qëndruar besnik ndaj marrëveshjes së arritur me Interin mbi bazën e 4.5 milionë eurove neto në vit deri në vitin 2030 (të lehtësuara nga Dekreti i Rritjes). Ata janë në pritje të një sinjali të qartë nga Atalanta për të bërë ofertën e re. Pas refuzimit të ofertës së parë prej 40 milionë eurosh dhe të dytës prej 45 milionë me bonuse të përfshira, zikaltrit janë gati të rrisin ofertën duke iu afruar 50 milionëve që kërkon Atalanta.

Qëllimi është që t’i dhurohet Chivu një sulmues me karakteristikat e Lookman përpara fillimit të Serie A. Nëse situata nuk zgjidhet, emri tjetër në listën e drejtuesve të Interit është ai i Christopher Nkunku të Chelseat, i cili megjithatë ka një pagë shumë të lartë (6.5 milionë euro në vit). Prioriteti i zikaltrve mbetet Lookman, por Interi nuk do të presë gjatë: shumëçka do të varet nga rezultati i takimit që së shpejti do të zhvillohet mes përfaqësuesve të lojtarit dhe Atalantës, një takim që duhet të përcaktojë përfundimisht vlerën e kartonit të tij.

Juve, dilema i sulmuesit: Kolo nuk zhbllokohet, United heq dorë nga Vlahovic

Juventusi vazhdon të kërkojë mënyrën për të mbajtur Kolo Muanin, duke e konfirmuar sulmuesin jo më me huazim të thjeshtë, por me detyrim blerjeje në fund të sezonit. Një mënyrë që mund të kënaqë PSG-në, pronarin e kartonit të francezit, duke zhbllokuar një situatë të ndërlikuar. Për më tepër, kjo ndodh në një merkato hyrëse të ngadalësuar nga nevoja për të shitur.

Çështja më e ndjeshme mbetet ajo e Dusan Vlahovic, i cili është jashtë projektit të Tudor, por me një rrogë të lartë dhe një vlerësim që pengon përpjekjet për t’i gjetur një skuadër të re. Juventusi dëshiron ta shesë atë për të pasur mundësi të lëvizë konkretisht për një tjetër sulmues dhe për të mos paguar një pagë që ka arritur deri në 12 milionë euro në sezon. Megjithatë, një vit para skadencës së kontratës dhe pa asnjë rinovim në horizont, oferta që të kënaqë të dyja palët ende nuk ekziston.

Serbi ka refuzuar mundësinë e Fenerbahces dhe i është ofruar Manchester Unitedit, që ka e refuzuar me mirësjellje këtë opsion, edhe sepse në mendje ka Benjamin Seskon, sulmuesin e Leipzigut, që pëlqehet shumë edhe nga Neëcastle. Këta të fundit kanë ofruar për Leipzigun 80 milionë euro plus 10 milionë euro bonuse dhe po përpiqen t’i rezistojë sulmit të Liverpoolit për suedezin Alexander Isak. Sulmuesi slloven është futur edhe në shënjestrën e Juventusit, por është e qartë se interesi i bardhezinjve ka qenë thjesht një sondazh me pak mundësi konkretizimi, duke parë konkurrencën e skuadrave të mëdha të Premier League.

Milan, për Jasharin vendimtare oferta e fundit: marrëveshja shumë afër

Pas disa javësh përplasjeje, Milan dhe Brugge janë më në fund shumë afër marrëveshjes për Ardon Jasharin, objektiv i deklaruar i kuqezinjve prej më shumë se një muaji. Shumë i rëndësishëm ishte takimi i zhvilluar dje mes përfaqësuesve të mesfushorit, presidentit Bart Verhaeghe dhe CEO-së së klubit belg Bob Madou, gjatë të cilit zvicerani e ka bërë të qartë se nuk do të pranonte asnjë ofertë tjetër përveç asaj të Milanit. Por, për të zhbllokuar tratativën, edhe më vendimtare ishte oferta e përmirësuar nga ana e kuqezinjve, të cilët e kanë rritur shumën fikse të ofertës në 34 milionë euro (plus 4.5 milionë bonuse), duke u afruar ndjeshëm kërkesës prej 40 milionë të Bruges.

Gjatë mbrëmjes së të hënës ka pasur një shkëmbim të dendur emailesh mes dy klubeve për të përcaktuar të gjitha detajet mbi bonuset dhe mënyrat e pagesës, dhe tani në Casa Milan mbizotëron një optimizëm i madh. Sot Jashari, në marrëveshje me klubin, nuk do të udhëtojë me skuadrën për ndeshjen e parë të turit preliminar të Ligës së Kampionëve kundër Salzburgut dhe do të qëndrojë në Belgjikë duke pritur dritën jeshile për t’u nisur drejt Milanos, e cila mund të vijë shumë shpejt. Aktualisht, vizitat mjekësore ende nuk janë programuar, por lojtari mund të mbërrijë në Itali që sonte ose nesër në mëngjes për të firmosur një kontratë pesëvjeçare me një pagë prej 2.5 milionë eurosh neto plus bonuse në sezon.

Milani dhe Bruges nuk kanë qenë kurrë kaq pranë marrëveshjes; pas pritjes së Modric (që ka qenë tifoz i Milanit që në fëmijëri), tifozët kuqezinj po përgatiten të mirëpresin edhe Jasharin, i cili si fëmijë shkonte në San Siro për të mbështetur Djallin dhe tani është gati të kthehet si protagonist.

Top Channel