
Mijëra punonjës të IT-së nga Koreja e Veriut kanë përdorur identitete të vjedhura ose të fabrikuara amerikane për të fituar vende pune në kompani perëndimore, duke gjeneruar qindra miliona dollarë në vit për programet ushtarake të Phenianit, sipas Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së.
Zhvilluesit dhe inxhinierët koreano-veriorë janë infiltruar në kompani të mëdha, përfshirë ato në listën Fortune 500, duke punuar në distancë nën maskën e profesionistëve të kualifikuar nga SHBA apo vende të tjera.
Ekspertët e sigurisë thonë se kjo përpjekje e koordinuar është pjesë e një strategjie shtetërore për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare dhe për të financuar programin bërthamor të vendit.
Këta punëtorë përdorin mjete të sofistikuara si inteligjenca artificiale me burim të hapur, software për fshehje fytyrash dhe rrjete VPN për të mashtruar punëdhënësit gjatë intervistave dhe thirrjeve me video. Ata operojnë nga vende si Kina, Laosi dhe Rusia – zona që kanë lidhje të afërta me regjimin e Koresë së Veriut.
Një pjesë e madhe e suksesit të operacionit vjen falë ndihmës nga vetë shtetas amerikanë. Christina Marie Chapman, një banore e SHBA-së, u dënua kohët e fundit me tetë vjet e gjysmë burg për ndihmën e saj ndaj operativëve të Koresë së Veriut për të siguruar vende pune në më shumë se 300 kompani, duke gjeneruar mbi 17 milionë dollarë për regjimin e Kim Jong Un. Ajo dhe të tjerë si ajo ndihmonin në vjedhjen e identiteteve, pastrimin e të ardhurave dhe sigurimin e pajisjeve teknologjike për operativët.
Një praktikë e zakonshme është drejtimi i të ashtuquajturave “ferma laptopësh”, ku lehtësuesit u japin koreanoveriorëve pajisje të dërguara nga kompanitë amerikane për t’u paraqitur sikur po punojnë brenda SHBA-së.
Ndryshe nga fushatat e hakerimit ose vjedhjeve të kriptovalutave, kjo skemë është më e fshehtë dhe më e vështirë për t’u zbuluar, pasi punëtorët nuk kryejnë aktivitete armiqësore, por punojnë në mënyrë të zakonshme si pjesë e ekipeve të korporatave. Kjo e bën shumë të vështirë identifikimin dhe ndalimin e tyre.
Sipas hetuesve, operacioni është një evolucion i strategjive të vjetra të mashtrimit të Koresë së Veriut, të përshtatura për epokën dixhitale nga udhëheqësi aktual Kim Jong Un, i cili është i përqendruar në përdorimin e teknologjisë si mjet për mbijetesën dhe forcimin e regjimit të tij.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka ofruar deri në 5 milionë dollarë shpërblim për informacion mbi individët e përfshirë në skemë, ndërsa Ministria e Jashtme e Koresë së Veriut i ka quajtur këto akuza si një “fushatë shpifëse të fabrikuar nga SHBA”.
Top Channel