Kompania lobuese e shiti Berishën si pensionist që DASH t’i hiqte non-gratën, kreu i PD anashkalon përgjigjen: Nuk jam zëdhënës i Continental Strategy

05/08/2025 14:28

Kryetari i Partisë Demokratike nuk ka pranuar të komentojë sot dy letrat e dërguara nga kompania lobuese Continental Strategy drejtuar DASH-it për t’i hequr atij statusin non grata.

Në letrën e parë, kompania argumentonte se Berishës duhet ti hiqet ky sanksionim i vendosur në vitin 2021, pasi ai nuk është më aktiv në politik, ndërsa në të dytën, tetë ditë më pas kompania lobuese kishte bërë një korrigjim, duke thënë se Berisha ishte aktiv në politikë, por pa post në qeveri.

I pyetur në konferencën e sotme për shtyp Berisha tha se për ccdo pyetje që gazetarët kanë, duhet t’i drejtohen kompanisë, pasi ai nuk është zëdhënës i saj.

“Unë kam vetëm një përgjigje për të dyja, nuk jam zëdhënës i kompanisë në fjalë. Nuk jam zëdhënës i kompanisë, kompania ka rregullat e saj të funksionimit, drejtohuni asaj. Edhe njëherë, nuk kam asnjë koment për ato çka nuk më takojnë mua. Për ato, shkruaji kompanisë, të të kthejë përgjigje kompania. Rëndësi të madhe këtu ka që ajo është transparente”, insistoi Berisha.

Tetë ditë pasi e shiti Berishën si pensionist dhe i kërkoi DASH-it t’i hiqte non-gratën, kompania amerikane e cila do të përfitojë 6 milionë dollarë nga lobimi për Partinë Demokratike, dërgoi një letër të dytë në administratën amerikane ku bëri një korrigjim. Sipas saj Berisha është aktiv në politikë, por jo në Qeveri.

Pas publikimit të këtij lajmi nga Top Channel, Continental Strategy nxituan të paraqesin një tjetër profil të Berishës, këtë herë si një udhëheqësi popular i opozitës dhe aktiv në rajon.

“Ky raport i korrigjuar rregullon një version të mëparshëm. Versioni i korrigjuar tani pasqyron saktësisht që, ndonëse z. Berisha aktualisht nuk mban asnjë post qeveritar, ai mbetet një figurë aktive politike në rajon dhe udhëheqësi aktual popullor i partisë opozitare në Shqipëri, diçka që versioni i mëparshëm e kishte saktësisht të shënuar në faqen 15. Përmbajtja e plotë e raportit mbetet e padiskutueshme, që është se z. Berisha dhe familja e tij nuk është dashur kurrë të ishin objektiv, shpallja e tij nuk ishte e justifikuar, dhe heqja e kësaj shpalljeje mbështetet si nga faktet ashtu edhe nga ligji dhe është në interesin më të mirë të Shteteve të Bashkuara dhe popullit shqiptar”, thuhet në letrën e dërguar nga kompania lobuese Continental Strategy në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Top Channel