
Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Norvegjez për Refugjatë, Jan Egeland, thotë se ndihmat humanitare që po mbërrijnë në Gaza janë të pakta dhe të vonuara, duke vënë në rrezik jetën e civilëve palestinezë.
“Po vijnë disa kamionë me ndihma, dhe ka edhe disa lëshime ajrore shumë fotozhenike, por që ofrojnë shumë pak,” tha Egeland gjatë intervistës me prezantuesen Kamali Melbourne.
Ai shtoi se ndihmat po shpërndahen në mënyrë kaotike dhe pa një sistem të qartë, duke akuzuar Izraelin për krijimin e një situate “kaosi të plotë”.
“Ka pasur një sistem për të shpërndarë ushqimin në duart e njerëzve, por tani po ndodh një kaos i vërtetë. Këto janë lojëra urie, njerëzit vrapojnë dhe përpiqen të kapin ndihmat, sepse janë shumë pak për të gjithë,” tha Egeland.
Sekretari i Këshillit Norvegjez për Refugjatë paralajmëroi gjithashtu se plani i kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për të pushtuar Gazën do të sjellë “më shumë gjakderdhje”.
“Sipas tij, e vetmja mënyrë për të liruar pengjet është përmes negociatave,” theksoi Egeland, duke shtuar se “këto kanë qenë mënyrat që kanë funksionuar më parë, jo vazhdimi i një lufte të pakuptimtë”.
Situata në Gaza mbetet jashtëzakonisht e tensionuar dhe kriza humanitare po thellohet çdo ditë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar kërkon zgjidhje urgjente për të shpëtuar civilët.
Top Channel