
Një gjykatë moldave dënoi të martën me shtatë vjet burg drejtoreshën rajonale pro-Kremlin, Evgenia Gutul, për kanalizimin e parave nga Rusia për të financuar një parti politike.
Gutul, e cila ka kritikuar fuqishëm qeverinë aktuale pro-evropiane të Moldavisë dhe ka vizituar herë pas here Moskën për të takuar zyrtarë të lartë, mohoi çdo shkelje. Ajo është vendosur në listat e sanksioneve të BE-së dhe SHBA-së me dyshimin për destabilizimin e Moldavisë.
Prokurorët thonë se Gutul ka kanalizuar në mënyrë sistematike fonde të padeklaruara në Moldavi nga viti 2019 deri në 2022 për të financuar partinë pro-moskovite të ndaluar “Shor”, e themeluar nga Ilan Shor, një biznesmen pro-rus në mërgim, i dënuar për mashtrim në Moldavi.
Prokurorët kishin kërkuar një dënim me nëntë vjet burg për Gutul.
Kremlini e cilësoi dënimin si të motivuar politikisht dhe akuzoi Moldavinë për shkelje të demokracisë.
Mbi 100 persona u mblodhën përpara gjykatës në kryeqytetin moldav, Kishinau, për të mbështetur Gutulin, drejtuesen e Gagauzisë, një rajon autonom me rreth 140,000 banorë kryesisht me etni turke.
Të pranishmit kërkonin lirimin e Gutulit, duke brohoritur “Turp” dhe duke kritikuar qeverinë.
Vendimi mund të apelohet.
Top Channel