
Tare ka bërë goditjen e radhës në merkato, pasi ka arritur akord me ekipin Belg të Club Brugge për transferimin e mesfushorit të talentuar Ardon Jasharit.
Vullneti i hekurt dhe i pakushtëzuar i lojtarit, së bashku me përmirësimin e fundit në ofertën e Milanit, kanë qenë faktorët kyç.
Duke pasur parasysh këto dy elementë, Club Brugge ka dhënë miratimin, Milani është gati të marrë Ardon Jasharin, i cili nuk u thirr nga klubi belg për ndeshjen kualifikuese të Ligës së Kampionëve ndaj Salzburgut dhe që pritet të mbërrijë nesër në Milano për kontrollet mjekësore.
Presioni i përbashkët nga mesfushori dhe kuqezinjtë ishte vendimtar, duke krijuar së bashku kushtet për arritjen e marrëveshjes.
Drita jeshile do të vijë mbi bazën e 34 milionë eurove plus 3 milionë bonuse, për një shifër totale që i afrohet shumë 40 milionë eurove që Club Brugge kishte kërkuar fillimisht.
Rritja e fundit në pjesën fikse të pagesës nga ana e Milanit – nga 33.5 në 34 milionë dhe një rregullim tjetër në bonuset e mundshme kanë qenë thelbësore. Nga ana tjetër, koha po mbaronte dhe Club Brugge prej kohësh kishte kuptuar dy gjëra thelbësore: lojtari e kishte përfunduar aventurën e tij në Belgjikë dhe dëshironte vetëm Milanin.
Jashari zgjodhi Milanin përpara “sirenave” të Premier League dhe natyrisht edhe atyre arabe, mbi të cilat Brugge kishte shpresuar për një ofertë më të madhe financiare. Jashari bëri gjithçka për të ndihmuar Milanin, duke kërkuar të stërvitej veçmas për një periudhë të caktuar, duke shmangur takimet zyrtare të klubit dhe duke mos u thirrur në ndeshjet e para zyrtare të sezonit, përfshirë këtu edhe ndeshjen e nesërme ndaj Salzburgut në turin paraprak të Champions-it.
Ky vullnet i hekurt në fund theu murin e Club Brugge, i cili e kuptoi se po e niste sezonin me lojtarin më të mirë si një “i larguar” brenda shtëpisë. Durimi dhe këmbëngulja e Milanit bënë pjesën tjetër.
Pas vizitave mjekësore, Jashari do të jetë i gatshëm për udhëtimin e dyfishtë të Milanit në Britani kundër Leeds dhe Chelsea të shtunën dhe të dielën.
Top Channel