
Kopshti Zoologjik i Aalborgut në Danimarkë ka nisur një fushatë të pazakontë, duke u bërë thirrje qytetarëve që të dhurojnë kafshët e tyre shtëpiake të shëndetshme, por të padëshiruara, si pula, lepuj, derra dhe madje edhe kuaj, për të ushqyer grabitqarët që mbahen në ambientet e tij.
Sipas kopshtit zoologjik, kafshët dhuruese eutanizohen butësisht nga stafi i trajnuar dhe më pas përdoren si ushqim për grabitqarët si luanë, tigra dhe rrëqebuj euroaziatikë. Ky ushqim, sipas zyrtarëve të institucionit, imiton dietën natyrore që këto kafshë do të kishin në natyrë.
Në një deklaratë në rrjete sociale, kopshti thekson se ka përgjegjësi për të imituar zinxhirin ushqimor natyror dhe se ky lloj ushqimi ndihmon në mirëqenien fizike dhe psikologjike të grabitqarëve. Rafte të tëra mishi industrial nuk i ofrojnë të njëjtat përfitime.
Zëvendësdrejtoresha e kopshtit zoologjik, Pia Nielsen, tha se kjo praktikë është përdorur prej vitesh dhe është e zakonshme në Danimarkë. Sipas saj, kafshët mishngrënëse kanë nevojë për mish të freskët me lesh dhe kocka, si pjesë e një diete natyrale.
Donacionet pranohen gjatë ditëve të javës dhe jo më shumë se katër kafshë në të njëjtën kohë, pa caktuar më parë një takim. Kuajt që dhurohen duhet të kenë pasaportë dhe të mos jenë trajtuar për sëmundje në 30 ditët e fundit. Donatorët e kuajve mund të përfitojnë gjithashtu një zbritje tatimore.
Praktika ka shkaktuar diskutime në publik – disa e vlerësojnë si një mënyrë të efektshme dhe të natyrshme për të ushqyer grabitqarët, ndërsa të tjerë e shohin si një qasje të ashpër ndaj kafshëve shtëpiake. Megjithatë, për kopshtin zoologjik, kjo është një formë etike dhe transparente për të menaxhuar resurset dhe për të trajtuar kafshët mishngrënëse në mënyrën më natyrale të mundshme.
Kopshti zoologjik thotë se shumë qytetarë dhe partnerë e mirëpresin këtë mundësi për të kontribuar në mirëqenien e kafshëve dhe për të shmangur shkatërrimin e kafshëve të padëshiruara që përndryshe do të ishin eutanizuar ose braktisur.
Top Channel