Gjyqi për shefat e Bankers, akuzohen për ‘mashtrim’ dhe fshehje të të ardhurave! Kërkuan lirinë në Apel

05/08/2025 11:30

Në një proces me dyer të mbyllura dhe që nuk u pranua monitorimi i gjyqit prej përfaqësuesve të ambasadës kineze në tiranë, apeli shqyrtoi kërkesat e dhjetë të dyshuarve që konsiderohen të implikuar në skemën Bankers, sipas emrit të kompanisë Bankers Petroleum që dyshohet se kryen evazion fiskal.

Hongping Xiao, që nga nëntori 2024 rezulton të jetë numri një i Bankers i kërkoi gjykatës së apelit ndryshimin e masës së arrestit vendosur nga gjykata e Fierit. Burimet e pranishme në gjykatë pohuan se i dyshuari kishte sjellë prova të reja, sikurse edhe ish drejtori Leonidha Çobo i cili insistoi në seancën me dyer të mbyllura se nuk ka kryer asnjë vepër  penale. Por një hetim i prokurorisë së Fierit ka dyshime se dy funksionarët e së bashku me ta edhe tetë të tjerë me masa më të lehta kryesisht auditues, financiarë dhe pjesë e stafit krijuan skema mashtruese për të shmangur pagimin e detyrimeve në shtet, fshehën të ardhurat, pastruan para dhe shpërdoruan detyrën. Katër të tjerë që vijojnë në kërkim janë ish drejtues të Bankers ndër vite të gjithë shtetas kineze dhe njëri prej tyre kanadez, mbasi siç dyshon prokuroria kanë kryer evazion fiskal duke shmangur detyrimet ndaj shtetit shqiptar, përmes bilanceve vjetore që e shfaqnin aktivitetin e Bankers me humbje.

“Por prokuroria thotë që është e pamundur të ishin me humbje për sa kohë vetëm në një vit për 2016 rezulton që kompania u ka paguar si shpërblim drejtuesve shumën e 1 milion eurove”, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.

Po ashtu si arsyetim sillet shitja e kompanisë përmes një transaksioni përmbi 400 milionë dollarë që sipas prokurorisë nëse do të ishte një aktivitet me humbje nuk mund të kishte këtë vlerë.  Është e pamundur thotë prokuroria që nga aktiviteti që lidhet me shfrytëzimin e naftës dhe nënprodukteve të saj  të raportohet humbje duke sjellë mos fitim nga ana e shtetit shqiptar

Gjatë këtij aktiviteti janë dëmtuar dhjetëra banesa në patoz marinë thotë prokuroria.

Zyrtarët e Bankers sipas prokurorisë nuk i kanë deklaruar fitimet e konsiderueshme të parave që më pas ka dyshime se janë pastruar.

Top Channel