Trump i vendosi një ndër tarifat më të larta , Zvicra gati t’i paraqesë SHBA-së një marrëveshje të re tregtare

04/08/2025 16:09

Qeveria zvicerane duket e vendosur t’i paraqesë Shteteve të Bashkuara një propozim tregtar më tërheqës, pas njoftimit të papritur të Uashingtonit për një tarifë prej 39% për një pjesë të madhe të eksporteve zvicerane.

Në një deklaratë zyrtare të hënën, qeveria zvicerane tha se “hyn në këtë fazë të re e gatshme për të paraqitur një propozim më tërheqës, duke marrë parasysh shqetësimet e SHBA-së dhe duke kërkuar të lehtësojë situatën aktuale të tarifave”.

Vendimi u mor nga Këshilli Federal pasi u njoftua më 31 korrik se rreth 60% e eksporteve zvicerane në SHBA do t’i nënshtroheshin tarifave shtesë prej 39% nga 7 gushti.

Tarifat e reja e vënë Zvicrën në disavantazh krahasuar me partnerët e tjerë kryesorë ekonomikë të Shteteve të Bashkuara. Bashkimi Evropian dhe Japonia përballen me tarifa prej 15%, ndërsa Mbretëria e Bashkuar përballet vetëm me 10%.

Pavarësisht tensionit, qeveria zvicerane theksoi se nuk po shqyrton kundërmasa në këtë kohë.

Zvicra dhe SHBA-ja kanë pasur lidhje të ngushta ekonomike për dekada, me tregtinë dypalëshe që është katërfishuar në njëzet vitet e fundit. Zvicra është tani investitori i gjashtë më i madh në Shtetet e Bashkuara dhe renditet i pari në investimet në kërkim dhe zhvillim.

Top Channel