Tragjike! Mbytet anija me emigrantë në Jemen, 68 të vdekur

04/08/2025 09:09

Të paktën 68 persona kanë vdekur pas fundosjes së një anijeje afër Jemenit, tha agjencia për migrim e Kombeve të Bashkuara më 4 gusht.

Dhjetëra persona ende konsiderohen të zhdukur pas fundosjes së anijes që po bartte kryesisht shtetas të Etiopisë.

Shefi i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim në Jemen, Abdusattor Esoev, tha për AFP-në se “68 persona janë vrarë, por vetëm 12 nga 157 personat janë shpëtuar deri më tani. Fati i të zhdukurve nuk dihet ende”.

Pavarësisht luftës që ka mbërthyer Jemenin që nga viti 2014, ky shtet i varfër vazhdon të mbetet pikë kryesore për migrimin e parregullt, veçmas nga Etiopia, shtet po ashtu i përfshirë në konflikt etnik.

Çdo vit, mijëra person përshkojnë të ashtuquajturën “Rrugë Lindore” nga Xhibuti për në Jemen, duke e kaluar Detin e Kuq, me shpresë që do të arrijnë në shtetet e pasura të Gjirit.

Anija që u fundos afër brigjeve të Abajan të Jemenit po bartte migrantë etiopianë, sipas autoriteteve në këtë provincë.

Autoritetet në Abajan thanë se forcat e sigurisë të dielën kryen operacione për nxjerrjen “e një numri të konsiderueshëm” të trupave të pajetë.

Muajin e kaluar, të paktën tetë persona vdiqën pasi kontrabanduesit detyruan migrantët që të zbarkonin nga një anije në Detin e Kuq, sipas agjencisë për migrim të OKB-së.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin thotë se dhjetëra mijëra migrantë kanë mbetur të bllokuar në Jemen dhe po vuajnë shkeljet e të drejtave të tyre dhe shfrytëzimit gjatë udhëtimeve të tyre.

Vitin e kaluar, kjo organizatë regjistroi të paktën 558 vdekje në rrugën e Detit të Kuq, prej të cilave 462 kanë ndodhur si pasojë e fundosjes së anijeve. /rel

Top Channel