
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se i dërguari i tij i posaçëm, Steve Witkoff mund të udhëtojë për në Rusi më 6 ose 7 gusht –ditët e fundit të afatit të ri që ai i ka vendosur Rusisë për të ndërmarrë hapa drejt përfundimit të luftës në Ukrainë ose të përballet me sanksione.
Trump më herët kishte deklaruar se Witkoff do të shkonte në Moskë pas vizitës që realizoi javën e kaluar në Izrael, por nuk kishte treguar detaje specifike për itinerarin e kësaj vizite.
Duke folur për gazetarët më 3 gusht, Trump sërish paralajmëroi se do të vendosë sanksione nëse Moska nuk pajtohet lidhur me një armëpushim për luftën në Ukrainë deri më 8 gusht.
“Do të ketë sanksione, por ata duket se janë të zotë për shmangien e tyre”, tha Trump. “Janë të shkathët dhe dinë t’i shmangin mirë sanksionet, ndaj do të shohim se çfarë do të ndodhë”.
Tarifat dytësore me gjasë do të shënjestrojnë Kinën dhe Indinë, dy blerëset më të mëdha të naftës ruse.
Kievi dhe Moska kanë vazhduar sulmet e ndërsjella ajrore para se të skadojë afati i vendosur nga Trumpi.
Trump i ka bërë presion presidentit rus, Vladimir Putin, që të pranojë një marrëveshje armëpushimi dhe t’i japë fund luftës, e cila tani ka hyrë në vitin e saj të katërt.
Më 14 korrik, Trump tha se Putin kishte 50 ditë kohë për të ndalur luftën, në të kundërtën Rusia do të përballej me tarifa të ashpra që do të kishin për shënjestër naftën dhe eksportet e tjera. Më vonë, ai e shkurtoi afatin deri më 8 gusht.
Shkurtimi i afatit përkoi me një javë vdekjeprurëse për civilët në Ukrainë, përfshirë sulmin e 31 korrikut në Kiev, në të cilin u përdorën mbi 300 dronë që vranë të paktën 31 persona. Forcat ukrainase po ashtu kanë intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës ruse.
Përshkallëzimi i sulmeve dhe afati që po afron për një marrëveshje armëpushimi vijnë në të njëjtën kohë kur Trump deklaroi më 1 gusht se kishte dislokuar nëndetëse bërthamore në “rajone të përshtatshme”. Trump tha se vendosi që të ripoziciononte nëndetëset bërthamore “më afër Rusisë” për shkak të “deklaratave jashtëzakonisht provokuese” të bëra nga ish-presidenti rus, Dmitry Medvedev.
Presidenti amerikan nuk specifikoi nëse bëhej fjalë për nëndetëse të pajisura me armë bërthamore apo vetëm nëndetëse që operojnë me energji bërthamore.
I pyetur më vonë nga gazetarët se pse kishte urdhëruar lëvizjen e nëndetëseve, Trump tha se “u bë një kërcënim nga ish-presidenti i Rusisë, dhe ne do t’i mbrojmë njerëzit tanë”.
Medvedev, i cili tani mban postin e nënkryetarit të Këshillit të Sigurisë së Rusisë, e ka akuzuar Uashingtonin për “lojë ultimatumesh” pasi Trumpi njoftoi se kishte shkurtuar afatin që Kremlini të pranonte një armëpushim. Medvedev shkroi në rrjetet sociale se “çdo ultimatum i ri është një kërcënim dhe një hap drejt luftës”.
Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk ka reaguar publikisht ndaj afatit më të fundit të presidentit amerikan, Donald Trump. Ai ka deklaruar herë pas here se është i interesuar për paqe, por vetëm në kushte që janë krejtësisht të papranueshme për Kievin.
Trump së fundi ka thënë se është i zhgënjyer me Putinin, pasi fillimisht ishte treguar më i hapur për kompromis me qëllim që të arrihej një marrëveshje me Moskën.
Që atëherë, presidenti amerikan ka deklaruar se beson se Putini nuk po negocion me mirëbesim dhe javën e kaluar i përshkroi sulmet e vazhdueshme ruse ndaj zonave civile si “të neveritshme”./REL
Top Channel