
Kryedemokrati Sali Berisha, në daljen për mediat jashtë SPAK-ut, foli sërish për kryebashkiakun Erion Veliaj, për të cilin tha se po keqtrajtohet në burg.
Sipas tij, me Veliajn ‘janë sjellë në mënyrë të papranueshme.
“Për Erion Veliajn, çështja është siç e patë ju, dëshmitarët njëri pas tjetrit, pasi kanë kaluar në zyrën e Ramës, nuk e di, por kjo të provojë, ta hetojnë, kanë bërë dëshmi, të cilat faktojnë për mua, faktojnë të vërtetën e vjedhjeve të tmerrshme që kanë bërë. Megjithatë çdo njeri i padënuar dhe dënuar, ka një paketë të drejtash të cilët duhet të respektohen. Me Erion Veliajn janë sjellë në mënyrën më të papranueshme. Dhe të jeni të sigurt, që për Erion Veliajn kam konsideratën më të keqe. Ua them këtu. Mund të flas shumë, shumë kohë dhe ndonjë ligësi njerëzore si atë nuk njoh, përveç Edi Ramës. Por tani është seç është, por të drejtat e tij nuk mund të përcaktohen nga vullneti im. Të drejtat e tij janë të drejtat e një qytetari të garantuar me ligj dhe kushtetutë”.
Madje, Berisha pretendon se statuset që publikon në rrjetet sociale Erion Veliaj, nuk i shkruan vetë.
“Që të marrë Edi Rama, zyra e shtypit dhe të botojë statuse të pashkruara nga Erion Veliaj, kjo mund të ketë ndodhur në proceset më të zeza të kohës së sigurimit të shtetit. Çfarë nevoje kishte të shkruante statuse se Olsi Dado është i tillë dhe atillë, dhe Altin Dumani është heroi siç donte Edi Rama, në një kohë kur ai ishte i zhytur. Ju e patë vetë që paratë binin si nga qielli te Velica, me kompani me këto. Çfarë nevoje kishte ta bënte këtë? Ua them unë, kishte nevojë se Edi Rama donte me çdo kush të zemëronte gjykatësit dhe prokurorët me të dhe ta mbante aty ku është. Kjo për mua është shumë e dënueshme, sepse kjo përbën vepër penale në vetvete. Thuhet që e kanë keqtrajtuar. Është një akt absolutisht i papranueshëm dhe i dënueshëm. Këto qëndroj unë për këto dhe më vjen mirë që Avokati i Popullit është marrë dhe po merret”.
Kryedemokrati foli edhe për rastin e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për të cilin tha se iu hoq 10 ditë komunikimi për një intervistë.
“Rasti i Ilir Metës është rast që ju nuk mund ta imagjinoni. Vetëm pse ka dhënë një intervistë i heqin 10 ditë të drejtën e çdo komunikimi, sikur të ishin Stalinistë apo nazistë. Shkojnë tre familjarë, motra me fëmijët dhe njërit nga fëmijët i thonë, jo se lejohen vetëm tre. Dhe raste të tjera. Plus që është absolutisht, ta dijë çdo shqiptar, pa asnjë fakt në dosje. Nuk mbroj njeri që ka fakt penal”.
Top Channel