“Metës iu hoq 10 ditë komunikimi për një intervistë”, Berisha mbron sërish Veliajn: Ndaj tij janë sjellë në mënyrë të papranueshme

04/08/2025 11:21

Të paimagjinueshme, kështu e konsideroi ish-kryeministri Sali Berisha trajtimin e ish-presidentit Ilir Meta në burg.

“Rasti i Ilir Metës është rast që ju nuk mund ta imagjinoni. Vetëm pse ka dhënë një intervistë i heqin 10 ditë të drejtën e çdo komunikimi, sikur të ishin Stalinistë apo nazistë. Shkojnë tre familjarë, motra me fëmijët dhe njërit nga fëmijët i thonë, jo se lejohen vetëm tre. Dhe raste të tjera. Plus që është absolutisht, ta dijë çdo shqiptar, pa asnjë fakt në dosje. Nuk mbroj njeri që ka fakt penal”.

Kurse qasjen ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj e quajti te papranueshme.

“Për Erion Veliajn, çështja është siç e patë ju, dëshmitarët njëri pas tjetrit, pasi kanë kaluar në zyrën e Ramës, nuk e di, por kjo të provojë, ta hetojnë, kanë bërë dëshmi, të cilat faktojnë për mua, faktojnë të vërtetën e vjedhjeve të tmerrshme që kanë bërë. Megjithatë çdo njeri i padënuar dhe dënuar, ka një paketë të drejtash të cilët duhet të respektohen. Me Erion Veliajn janë sjellë në mënyrën më të papranueshme. Dhe të jeni të sigurt, që për Erion Veliajn kam konsideratën më të keqe. Ua them këtu. Mund të flas shumë, shumë kohë dhe ndonjë ligësi njerëzore si atë nuk njoh, përveç Edi Ramës. Por tani është seç është, por të drejtat e tij nuk mund të përcaktohen nga vullneti im. Të drejtat e tij janë të drejtat e një qytetari të garantuar me ligj dhe kushtetutë. Thuhet që e kanë keqtrajtuar. Është një akt absolutisht i papranueshëm dhe i dënueshëm. Këto qëndroj unë për këto dhe më vjen mirë që Avokati i Popullit është marrë dhe po merret”.

Sali Berisha vetë nën akuzë për korrupsion në dosjen “Partizani” shtoi se nëse do ta thërrasin për hetimet e 21 Janarit do të paraqitet. Por në përgjigje të vendimit të Strasburgut që e konsideroi 21 Janarin si krim shtetëror, Berisha tha se është krim shtetëror pa dashje.

Teksa procesi i themelit është shtyrë për në shtator, ish-kryeministri paralajmëroi betejën që do ta vazhdojë ndaj Gjykatës Antikorrupsion që sipas ish-kryeministrit kontrollohet nga SPAK.

Top Channel