
Dukej si një çështje e mbyllur, në një rrugë pa dalje, por papritur u rihap. Milani dhe Brugge, në mënyrë të papritur, janë tani pranë një marrëveshjeje për Ardon Jasharin, objektiv i shpallur i kuqezinjve prej më shumë se një muaji.
Ende nuk jemi te marrëveshja përfundimtare, por oferta e Igli Tares, e cila ka mbetur e pandryshuar financiarisht (33.5 milionë euro plus bonuse deri në afro 38 milionë), ka ndryshuar në kushtet e pagesës: Brugge dhe Milan mund të bien dakord duke ulur afatin e pagesës nga 5 vite në 4.
Kontaktet janë të vazhdueshme këto orë, sepse tashmë duket se po zgjidhen detajet e fundit, dhe lajmi vjen edhe nga Belgjika, ku gazetari Sacha Tovalieri ka folur hapur për një marrëveshje të arritur, me lojtarin gati të firmosë një kontratë 5-vjeçare.
A jemi në finish? Ende jo. Por orët e fundit kanë qenë shumë pozitive, ashtu si edhe kontaktet, pas disa ditësh me tensione dhe thumbime të ndërsjella.
Kësaj radhe nga Casa Milan vjen optimizëm, dhe nyjet e fundit të një negociate shumë të ndërlikuar po zgjidhen dalëngadalë.
Nuk mund të themi ende që Jashari do të jetë lojtar i Milanit, por sigurisht mund të themi se kuqezinjtë dhe Brugge nuk kanë qenë kurrë kaq afër një shtrëngimi duarsh.
Kështu, në ditën e Luka Modric, që do t’i sjellë grupit klas dhe eksperiencë, Djalli mund të sigurojë një lojtar për të cilin flitet shumë mirë dhe që mund të bëhet, ose duhet të bëhet sipas shpresave të kuqezinjve, një element kyç për vitet që vijnë.
Milan-Jashari, kur gjithçka dukej si një lamtumirë, vjen një mirëseardhje e papritur.
Top Channel