Merkato e legjionarëve/ Asllani me valixhe në dorë, por në formacion. Trajneri i Burnley ngrin Brojën

04/08/2025 12:38

Ditë të vrullshme këto të verës ku shumica e njerëzve pushojnë, ndërkohë që futbollistët janë mes miqësoreve dhe telefonave në dorë, për të pritur përfundimin e negociatave për të ardhmen.

Një ndër më të përfolurit nga kuqezinjtë në këtë verë është Kristjan Asllani i cili tek Interi edhe pse në Botërorin e klubeve luajti shumicën e ndeshjeve, nuk është në planet e trajnerit Chivu dhe skuadra zikaltër kërkon ta shesë me doemos këtë verë.

Fakti që ai refuzoi mundësinë për t’u transferuar te Betisi në Spanjë, duke insistuar që të qëndronte në Itali, bëri që të kishte shumë polemika rreth tij sidomos në rrjetet sociale nga tifozët. Por për çudinë e të gjithëve, pavarësisht largimit të tij të paralajmëruar publikisht edhe nga drejtuesit e Interit, Asllani është shfaqur sot mes titullarëve në ndeshjen e parë të fazës përgatitore që zikaltrit luajtën ndaj ekipit U23.

Chivu e kishte rreshtuar atë në qendër të mesfushës, pak më të avancuar se zakonisht me sistemin 3-5-2 dhe Asllani ka qenë pjesë e manovrës zikaltër në pjesën e parë të kësaj ndeshje “në familje” edhe duke shënuar gol. Ai realizoi golin e avantazhit të përkohshëm 3-2 me një penallti të fituar nga Boni. Asllani ishte ai që ekzekutoi penalltinë edhe pse në fushë ishte kapiteni Lautaro Martinez, ndërsa iu besuan edhe ekzekutimet e goditjeve të dënimit si zakonisht, ndonëse plani i zikaltërve mbetet ai i largimit të tij për të siguruar të ardhura për merkaton dhe këto aktivizime më tepër janë për reklamim të tij ndaj skuadrave të interesuara.

Ndërkohë nuk ka qetësi për sulmuesin Armando Broja. Në fundjavë u përfol për një transferim të tij tek Burnley nga Chelsea i cili prej kohësh e ka nxjerrë nga planet e tij. Por deklarata e fundit e trajnerit Skot Parker, pas miqësores ndaj Stouk, lë të kuptohet se marrëveshja do pak kohë për t’u mbyllur. Fillimisht mendohej se gjithçka do të përfundonte brenda fundjavës, pasi Broja kishte kryer një pjesë të vizitave mjekësore me klubin e ri. Por Parker ka frenuar gjithçka duke folur për “Burnley Express” pas sfidës së djeshme rreth zërave për Brojën.

Ky është një pozicion për të cilin ne po kërkojmë, por nuk ka asgjë shumë afër. Ndaj derisa të dalë diçka apo situata të jetë më afër finalizimit, nuk ka në të vërtetë asnjë lajm rreth saj,” – deklaroi trajneri i Burnleyt.

Një tjetër lëvizje mes kampionateve të konsideruara me pak rivalitet dhe cilësi, por ndoshta me më shumë para, ka bërë mesfushori kuqezi Jasir Asani. Nga Koreja, ai është transferuar tashmë në Iran, pasi i është bashkuar klubit të Esteglal që militon në elitën e futbollit në këtë vend. Zërat ishin përhapur që në ditët e kaluara, por tashmë Asani ka arritur akordin me skuadrën në fjalë dhe ka firmosur një kontratë deri në fund të sezonit 2026-2027. ”Pas negociatave mes Esteglal dhe anësorit të sulmit shqiptar Jasir Asani, lojtari firmosi një kontratë me Esteglal për një sezon e gjysmë dhe do të bashkohet me Esteglal sapo të mbarojë kontrata me klubin e tij aktual korean Guangju. Lojtari ka kontratë me klubin korean deri në janar dhe drejtuesit e Esteglal po mundohen që të sigurojnë që lojtari t’i bashkohet klubit para fundit të saj”, shkruhet në njoftimin e klubit iranian rreth marrëveshjes me sulmuesin.

Ndërkaq Kristjan Shpendi, sulmuesi kuqezi I Cezenës është shënjestruar nga Stefano Pioi i cili me rikthimin në Itali tek Fiorentina kërkon një shok reparti për Moise Ken dhe sulmuesi shqiptarë është pretendenti kryesorë.

 

Top Channel