
Krizë urie nuk ka vetëm në Gaza, por edhe në Sudan, raportojnë mediat e huaja.
Qyteti al Fashir në Darfurin e Veriut është kthyer në epiqendrën e një katastrofe të rëndë humanitare, ku rreth 900 mijë civilë jetojnë nën rrethim të plotë dhe pa asnjë akses në ushqim apo ndihmë mjekësore. Prej më shumë se 14 muajsh, qyteti është izoluar nga Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), të cilat kanë bllokuar çdo rrugë furnizimi dhe kanë ndaluar hyrjen e ndihmave humanitare.
Pamje të rralla të siguruara nga media britanike Sky News tregojnë rrugë të boshatisura, njerëz të fshehur në shtëpi dhe fëmijë të sëmurë të ulur mbi rrogoza në tokë të zhveshur. Ndërkohë, ushtria sudaneze dhe Forcat e Përbashkëta të Mbrojtjes së Darfurit po përpiqen të ndalojnë përparimin e RSF-së drejt marrjes së kontrollit të qytetit.
“Nuk ka më tregje, nuk ka më ushqim, nuk ka më jetë. Uria është kudo dhe çdo ditë vriten civilë në bombardime”, thotë një gazetar sudanez, Muammer Ibrahim.
Situata është përkeqësuar ndjeshëm që prej prillit, kur RSF bastisi kampin e zhvendosurve Zamzam, 12 kilometra në jug të qytetit, duke bllokuar përfundimisht rrugën e fundit të furnizimit për al Fashirin. Qindra mijëra njerëz të shpërngulur ndodhen tani në periferi të qytetit, pa asnjë ndihmë.
Sipas organizatës Mjekët pa Kufij (MSF), normat e kequshqyerjes janë katastrofike dhe uria është tashmë e konfirmuar në të paktën pesë zona. “Që nga qershori, asnjë konvoj ndihme nuk ka mundur të hyjë në qytet. Përpjekjet për negociata kanë dështuar plotësisht”, deklaroi Mathilde Simon, koordinatore e projektit në MSF.
Kuzhinat e komunitetit janë shpresa e fundit për mijëra njerëz që jetojnë me një vakt në ditë, kryesisht qull sorgumi. Familjet përdorin ushqimin e mbetur të kafshëve për të mbijetuar, ndërsa situata vazhdon të përkeqësohet çdo ditë.
Al Fashir, një nga qytetet e fundit në Darfur që nuk është nën kontrollin e RSF-së, ndodhet në prag të një zije buke masive, me popullsinë civile që përballet me urinë, dhunën dhe harresën e plotë ndërkombëtare.
Top Channel