
Fleta e letrës në krye të saj shkruan: “Person i Kërkuar”. Më poshtë është një fotografi e një vajze të re, një portret që duket sikur është bërë në studio.
Ajo shikon drejt kamerës, duke buzëqeshur me dhëmbët në pah, dhe flokët e saj të errëta, deri në supe, janë të krehura me kujdes. Në fund, me të kuqe, janë fjalët: “Shpërblim prej një milion dollarësh të Hong Kongut,” së bashku me një numër telefoni në Britaninë e Madhe.
Për të fituar paratë, rreth 95 mijë paund, udhëzimi është i thjeshtë: “Jepni informacion mbi këtë person të kërkuar dhe çojeni në ambasadën kineze“. Gruaja nga fotografia është duke qëndruar përballë meje. Ajo dridhet kur sheh ndërtesën.
Ne jemi jashtë një strukture madhështore që dikur ishte shtëpia e Royal Mint (Monedha Mbretërore), dhe që Kina shpreson ta shndërrojë në një ambasadë të re gjigande në Londër, duke zëvendësuar selinë shumë më të vogël që përdor që nga viti 1877.
Ambasada e re, përballë Kullës së Londrës, tashmë po patrullohet nga roje sigurie kineze. Ndërtesa është e rrethuar edhe me kamera sigurie. “Nuk kam qenë kurrë kaq afër”, pranon Carmen Lau.
Carmen, 30 vjeç, iku nga Hong Kongu në vitin 2021 kur aktivistët pro-demokracisë në territor po arrestoheshin.
Ajo argumenton se Mbretëria e Bashkuar nuk duhet të lejojë që regjimi “autokratik” i Kinës të ketë ambasadën e saj të re në një vend kaq simbolik. Një nga frikërat e saj është se Kina, me një ambasadë kaq të madhe, mund të ngacmojë kundërshtarët politikë dhe madje t’i mbajë ata të mbyllur brenda ndërtesës.
Ka gjithashtu shqetësime nga disidentët se vendndodhja e ambasadës, shumë pranë distriktit financiar të Londrës, mund të jetë rrezik për spiunazh. Pastaj ka edhe kundërshtimin nga banorët që thonë se ajo do të paraqiste rrezik sigurie për ta.
Planet ishin refuzuar më parë nga këshilli lokal, por vendimi tani është në duart e qeverisë dhe ministrat kanë sinjalizuar se janë pro nëse bëhen disa ndryshime të vogla në projekt. Zona është e madhe, 20,000 metra katrorë, dhe nëse miratohet, do të ishte ambasada më e madhe në Evropë. Por a do të sillte vërtet rreziqet që kundërshtarët e saj kanë frikë?
Ambasada më e madhe në Evropë
Kina bleu Royal Mint Court të vjetër për 255 milionë paund në vitin 2018. Zona ka shumë histori: përballë është Kulla e Londrës, pjesë të së cilës u ndërtuan nga Uilliam Pushtuesi. Për shekuj, mbretërit dhe mbretëreshat kanë jetuar atje.
Plani përfshin një qendër kulturore dhe banesa për 200 punonjës, por në bodrum, pas dyerve të sigurta, ka edhe dhoma që nuk kanë përdorim të përcaktuar në planin e paraqitur.
“Është e lehtë për mua të imagjinoj çfarë do të ndodhte nëse do të më çonin në ambasadën kineze”, thotë Carmen.
Në vitin 2022, një protestues pro-demokracisë nga Hong Kongu u tërhoq zvarrë në ambientet e konsullatës kineze në Mançester dhe u rrah. Policia britanike që ishte afër kaloi kufirin për ta shpëtuar atë.
Në vitin 2019, në Hong Kong shpërthyen protesta masive, të shkaktuara nga përpjekja e qeverisë për të miratuar një ligj që lejonte ekstradimin e qytetarëve të Hong Kongut në Kinë.
Përgjigjja e Kinës përfshinte një ligj që i detyronte të gjithë zyrtarët e zgjedhur në Hong Kong, përfshirë Carmen-in që atëherë ishte këshilltare distrikti, të bënin betim besnikërie ndaj Kinës. Carmen dha dorëheqjen.
Ajo pretendon se gazetarët e mediave shtetërore kineze filluan ta ndiqnin. Gazeta Ta Kung Pao, që kontrollohet nga qeveria qendrore e Kinës në Pekin, publikoi një artikull në faqen e parë duke pretenduar se ajo dhe kolegët e saj kishin bërë festa në zyrat e këshillit. “E di shumë mirë taktikën e regjimit”, thotë ajo. “Të ndiqnin, përpiqeshin të të ngacmonin. Miqtë dhe kolegët e mi po arrestoheshin“.
Carmen iku në Londër, por beson se vijon të jetë në shënjestër. Hong Kongu ka lëshuar dy urdhër-arreste për të, duke e akuzuar për “nxitje për shkëputje dhe bashkëpunim me një vend të huaj apo elementë të jashtëm për të rrezikuar sigurinë kombëtare”.
“Regjimi thjesht përpiqet të eliminojë çdo aktivist të mundshëm jashtë vendit”, thotë ajo.
Steve Tsang, ekspert i shkencave politike dhe historian që është drejtor i Institutit të Kinës në SOAS, thotë se ai e kupton pse njerëzit nga Hong Kongu, ose prejardhje të caktuara, mund të ndihen të pasigurt me ambasadën e re.
Ai argumenton se “qeveria kineze që nga viti 1949 nuk ka një histori të rrëmbimit të njerëzve dhe mbajtjes së tyre në ambientet e ambasadave.”
Por ai thotë se disa punonjës të ambasadës do të kenë për detyrë të monitorojnë studentët dhe disidentët kinezë në MB dhe gjithashtu do të synojnë qytetarë britanikë, si shkencëtarë, biznesmenë dhe ata me ndikim, për të avancuar interesat e Kinës.
Ambasada kineze i tha BBC-së se ajo “është e angazhuar për të promovuar mirëkuptimin dhe miqësinë midis popullit kinez dhe atij britanik dhe zhvillimin e bashkëpunimit të ndërsjellë mes dy vendeve. Ndërtimi i ambasadës së re do të na ndihmonte të përmbushnim më mirë këto përgjegjësi”.
Paralajmërime për spiunazh
Ekziston një frikë tjetër, që kanë disa kundërshtarë, se zona e Royal Mint Court mund t’i japë mundësi Kinës të depërtojë në sistemin financiar të Mbretërisë së Bashkuar duke u lidhur me kabllot me fibra optike që mbajnë të dhëna të ndjeshme për firmat në City of London.
Në këtë vend ka qenë dikur dyshemeja e tregtimit të bankës Barclays, prandaj ishte e lidhur direkt me infrastrukturën financiare të MB. Pranë, një tunel që nga viti 1985 mbart fibra optike nën lumin Thames që shërbejnë për qindra firma të City-t.
Brenda oborrit të Court ndodhet edhe një ndërtesë me pesë kate – Wapping Telephone Exchange, që shërben për City of London. Sipas Prof. Periklis Petropoulos, studiues i optoelektronikës në Universitetin e Southamptonit, qasja e drejtpërdrejtë në një qendër telefonike funksionale mund t’u mundësojë njerëzve të përfitojnë informacion. Kjo ka shkaktuar paralajmërime për spiunazh të mundshëm, përfshirë edhe nga anëtari i Partisë Konservatore, Kevin Hollinrake, si dhe nga figura të larta të Partisë Republikane në SHBA.
Një zyrtar me përvojë në çështjet e sigurisë gjatë administratës së presidentit të mëparshëm amerikan Joe Biden më tha se është krejtësisht e mundur që kabllot të përgjohen me pajisje që kapin informacionin në kalim dhe se kjo do të ishte pothuajse e pamundur për t’u zbuluar.
“Çdo gjë deri në gjysmë milje larg ambasadës do të ishte e rrezikuar“, thotë ai.
Megjithatë, ai argumenton se Kina mund të mos ketë nevojë ta bëjë këtë, sepse ka mënyra të tjera për të hakuar sistemet. Në lidhje me këto shqetësime, ambasada kineze tha: “Forcat anti-Kinë po përdorin rreziqet e sigurisë si pretekst për të ndërhyrë në shqyrtimin që qeveria britanike po i bën këtij aplikimi për leje ndërtimi. Ky është një veprim i neveritshëm, i papëlqyeshëm dhe i destinuar të dështojë.”
Çfarë mendojnë fqinjët?
Në pjesën e pasme të Royal Mint Court është një rresht apartamentesh të ndërtuara në vitet 1980. Mark Nygate ka jetuar atje për më shumë se 20 vjet. Ai flet nga muri i ulët i kopshtit të tij: “Stafi i ambasadës do të jetojë aty dhe do të na shohë nga dritaret”.
“Nuk e duam ambasadën këtu për shkak të demonstratave, rreziqeve të sigurisë dhe mungesës së privatësisë”,
Kundërshtarët e ambasadës, hongkongas, tibetas, ujgurë dhe politikanë opozitarë, tashmë kanë organizuar protesta me deri në 6.000 pjesëmarrës.
Megjithatë, frika më e madhe e tij është një sulm ndaj ambasadës, që mund të dëmtojë atë dhe fqinjët e tij.
Por Tony Travers, profesor në Departamentin e Qeverisjes në LSE, që jeton pranë ambasadës aktuale, nuk është i bindur se këto lloj protestash do të ndodhin edhe me fqinjët e rinj nëse zhvendosja përparon.
“Nuk jam në dijeni të ndonjë prove që ka protesta të rregullta që bllokojnë rrugën para ambasadës aktuale kineze… është e dukshme që ka protesta shumë më të mëdha para ambasadave dhe komisioneve të tjera të vendeve të ndryshme”.
Ambasada kineze në Londër thotë se zhvillimi i propozuar do të “përmirësonte shumë mjedisin përreth dhe do të sillte përfitime për komunitetin lokal dhe rrethin”.
Kur Xi e ngriti çështjen
Aplikimi i parë i Kinës për zhvillimin e kësaj zone u refuzua nga këshilli i Tower Hamlets në vitin 2022 për arsye sigurie dhe shqetësime se protestat dhe masat e sigurisë mund të dëmtonin turizmin. Në vend që të ndryshonte planin ose të apelonte, Kina priti dhe më pas e paraqiti sërish të njëjtin aplikim në gusht 2024, një muaj pasi Partia Laburiste erdhi në pushtet.
Më 23 gusht, Sir Keir Starmer telefonoi presidentin kinez Xi Jinping për bisedën e tyre të parë. Pas bisedës, Sir Keir konfirmoi se Xi kishte ngritur çështjen e ambasadës.
Që prej asaj kohe, zëvendëskryeministrja Angela Rayner ka ushtruar fuqinë e saj për t’ia marrë vendimin këshillit, pasi u nxit ta bënte këtë nga ministri i Jashtëm, David Lammy.
Kjo ndodh në kontekstin e përpjekjes së qeverisë për të rivendosur marrëdhëniet me Kinën, pas deklaratës së ish-kryeministrit konservator Rishi Sunak në vitin 2022 se e ashtuquajtura “epokë e artë” e marrëdhënieve Mbretëri e Bashkuar-Kinë kishte përfunduar. Nga ana e tij, Prof. Travers beson se politika ndikon gjithmonë në vendimet e planifikuara.
“Sekretari i Shtetit duhet ta marrë vendimin mbi bazën e dokumentacionit dhe ligjit që e rregullon këtë çështje.Por do të ishte naive të mendohej se politika nuk luan rol”, argumenton ai.
‘Të përkëdhelësh Kinën’
Lord Peter Ricketts, ish-diplomat dhe kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Mbretërisë së Bashkuaar, i cili ka këshilluar kryeministrat për kërcënimet globale, thekson se marrëdhënia e vendit me Kinën është komplekse.
Strategjia Kombëtare e Sigurisë e publikuar në qershor përshkruante prioritetet e kundërta të qasjes së qeverisë, duke theksuar dëshirën për të përdorur marrëdhënien për të nxitur ekonominë britanike, por gjithashtu edhe “tensionet e vazhdueshme” për të drejtat e njeriut dhe sigurinë kibernetike.
Por a është e mundur që të përfitosh nga marrëdhëniet tregtare, ndërkohë që kritikon shkeljet e të drejtave të njeriut?
“Ajo është absolutisht një kundërshtar në disa fusha, që përpiqet të vjedhë pronën tonë intelektuale apo të rekrutojë qytetarët tanë”, thotë Lord Ricketts. “Por është edhe një treg komercial shumë i rëndësishëm për ne dhe një aktor në çështjet e mëdha globale si klima dhe shëndetësia. Duhet të jemi në gjendje ta trajtojmë Kinën në të gjitha këto kategori njëkohësisht”.
Vendimi për ambasadën, sipas tij, është në zemër të këtij balancimi. “Ka dilema të mprehta dhe ka zgjedhje që duhen bërë: a duhet të privilegjojmë marrëdhënien 30, 40 apo 50-vjeçare me Kinën, që një ambasadë do ta simbolizonte? Apo t’u japim përparësi kërcënimeve afatshkurtra të sigurisë, që padyshim janë të vërteta gjithashtu?”
Deputeti Konservator Sir Iain Duncan Smith është i bindur se miratimi i ambasadës do të ishte një gabim i madh.
“Ata mendojnë se mënyra e vetme për të pasur rritje është duke u përkëdhelur me Kinën dhe duke i bërë ata të investojnë”, thotë ai.
Por, pavarësisht shqetësimeve për sigurinë, sipas Prof. Steve Tsang, një ambasadë e madhe mund ta bëjë më të lehtë të mbikëqyrësh se çfarë bëjnë zyrtarët kinezë në Mbretërinë e Bashkuar.
“T’i lejosh kinezët të kenë stafin e tyre në një vend si ky është më e preferueshme”, argumenton ai, “sepse tani ata janë të shpërndarë gjithandej në Londër dhe nuk mund t’i kontrollosh dot”.
Ai nuk është i bindur se pranimi ose refuzimi i ambasadës do të ketë ndikim në tregti dhe biznes.
“Kinezët janë pragmatistët absolutë. Ata nuk do të thonë papritur që nuk do t’ju shesim më makinat tona elektrike më të mira vetëm sepse na refuzuat ambasadën”, thotë ai.
Por, po ashtu, “ata nuk do të rrisin ndjeshëm investimet kineze në Mbretërinë e Bashkuar vetëm sepse kanë ndërtuar një kompleks të ri ambasade”.
Nëse edhe zëvendëskryeministrja Angela Rayner mendon kështu, atëherë vendimi i saj mund të vijë deri te mënyra se si ajo e vlerëson seriozitetin e paralajmërimeve që Kina mund të përgjojë bankat e Mbretërisë së Bashkuar. Nëse ajo e refuzon ambasadën, kjo mund të jetë sepse e gjykon rrezikun si shumë të vërtetë./ Damian Grammaticas, BBC
Top Channel