
Të paktën 27 persona u vranë nga forcat izraelite ndërsa po përpiqeshin të merrnin ushqim dhe gjashtë të tjerë vdiqën nga uria ose kequshqyerja në Gaza të dielën, thanë zyrtarët palestinezë.
Dëshmitarët thanë se forcat izraelite qëlluan mbi turma të uritura që po përpiqeshin të merrnin ndihma ushqimore nga një pikë shpërndarjeje e drejtuar nga Gaza Humanitarian Foundation, me mbështetje nga SHBA-ja, në jug të territorit.
“Nuk munda të ndaloja dhe të ndihmoja për shkak të plumbave“, i tha Yousef Abed agjencisë Associated Press pasi pa të paktën tre persona të gjakosur në tokë ndërsa forcat izraelite hapën zjarr.
Vrasjet e së dielës ishin më të fundit në një seri të shtënash vdekjeprurëse që kishin në shënjestër njerëz të uritur. Të paktën 1.400 persona janë vrarë ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihma që nga 27 maji, shumica pranë pikave të GHF-së, ndërsa të tjerë përgjatë rrugëve të autokolonave të ndihmave, tha OKB-ja të premten. GHF thotë se përdor vetëm sprej piperi ose qëllon në ajër për të kontrolluar turmat.
Në total, 119 persona u vranë në Gaza nga të shtënat dhe sulmet izraelite në 24 orët e fundit, përfshirë ata që kërkonin ndihmë, sipas ministrisë së shëndetësisë në Gaza.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se ushtria izraelite shënjestroi selinë e saj në Khan Younis, në jug të Gazës, të dielën, duke vrarë një punonjës dhe plagosur tre të tjerë. Një sulm tjetër izraelit goditi një shkollë në Khan Younis, që po përdorej si strehë për të zhvendosurit, duke vrarë të paktën dy persona.
Popullsia e Gazës po bëhet gjithnjë e më e dëshpëruar ndërsa territori po zhytet më thellë në uri, që ekspertët thonë se është pasojë e bllokadës së vazhdueshme izraelite ndaj ndihmave. Izraeli ka mohuar me forcë se ka një krizë urie në Gaza dhe njoftoi masa të zgjeruara për ndihma javën e kaluar, por organizatat humanitare thonë se Izraeli vazhdon të kufizojë rëndë hyrjen e ndihmave.
Organizatat humanitare thonë se një sasi shumë më e madhe ndihmash duhet të hyjë në Gaza për të ndihmuar në stabilizimin e krizës së urisë.
Në total, të paktën 60.839 persona janë vrarë në Gaza gjatë operacioneve ushtarake aktuale të Izraelit, të nisura pas sulmit të udhëhequr nga Hamasi në Izrael më 7 tetor 2023, që vrau rreth 1.200 persona, raporton The Guardian.
Ndërsa sulmet izraelite vazhdonin në Gaza, ministri i sigurisë kombëtare të Izraelit, Itamar Ben-Gvir, udhëhoqi lutjet në xhaminë al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar, duke shkaktuar zemërim në mesin e fuqive rajonale. Ben-Gvir ishte mes 1.250 personave që u falën në kompleks të dielën nën mbrojtjen e ushtrisë izraelite.
Kompleksi, të cilin hebrenjtë e quajnë Mali i Tempullit, është vendi më i shenjti në judaizëm dhe i treti më i shenjtë në islam. Vendi është nën kujdestarinë e Jordanisë, sipas një marrëveshjeje të dekadave më parë, hebrenjve u lejohet ta vizitojnë, por jo të falen aty.
Top Channel