
Pas një mungese mbi 20-vjeçare, qyteti i Gjirokastrës ka mirëpritur rikthimin e cirkut përmes Marina Orfei një trupë legjendare italiane dhe një nga emrat më të njohur në skenën ndërkombëtare të cirkut.
Trupa ka ngritur tendën e saj në hyrje të qytetit dhe po zhvillon shfaqje të përditshme deri më 10 gusht.
Gjirokastra është një nga ndalesat e turneut që trupa po zhvillon në Shqipëri, pas performancave në Tiranë, Durrës, Sarandë dhe Berat.
Në spektakël marrin pjesë artistë të specializuar në numra akrobatikë, performanca me drita lazer, si dhe numra me kafshë të trajnuara, përfshirë qen dhe tigra siberianë. Shfaqja përfshin gjithashtu humor dhe interaktivitet me fëmijët, të sjella nga figura të njohura të trupës.
“Deri tani e ndjejmë veten shumë mirë, si me pjesëmarrjen ashtu edhe me qytetin që është shumë i bukur dhe i kuruar. Publiku na përgjigjet mjaft mirë, ka interaksion, megjithëse e prezantojmë spektaklin në italisht ,çdo gjë po shkon shumë mirë.
Qytetin e kemi parë shkarazi sepse sapo kemi ardhur dhe debutimi është sot, kështu që do ta shohim me vëmendje përgjatë javës.
Unë jam akrobat dhe realizoj një numër me dritat lazer. Në spektakël kemi akrobatë të ajrit, kemi numrat me qen, një numër shumë të bukur me tigrat siberianë, dhe kllounin që është shumë zbavitës për fëmijët. Është një spektakël shumë i kompletuar.”, shprehet Ricardo Zafatta, drejtues artistik/akrobat.
Me një përvojë të gjatë në këtë profesion, edhe Roberto Riva, kllouni i trupës, ndan përshtypjet e tij për publikun në Gjirokastër.
“Është shumë bukur! Publiku përgjigjet dhe ka shumë fluks, shpresojmë që do të jetë kështu gjithë javës.
Unë jam kllouni. Është një rol shumë interesant sepse i bëj të qeshin të gjithë fëmijët dhe i përfshij edhe në spektakël. Mendoj që këto shfaqje do të jenë një sukses.”, thotë Roberto Riva, kllouni i trupës.
Cirku Marina Orfei me një traditë që nis nga vitet 1950 në Itali është i lidhur historikisht me emrin e Moira Orfei, ikonë e cirkut dhe figurë e njohur e kulturës pop. Ky cirk ka shëtitur në Francë, Gjermani, Spanjë, Greqi, Rumani, Emiratet e Bashkuara dhe shumë vende të tjera, duke sjellë përvoja unike në çdo vend ku performon.
Me një format spektakli të përditësuar, cirku arrin të ruajë thelbin klasik të cirkut tradicional duke e kombinuar me elementë bashkëkohorë. Për shumë fëmijë në Gjirokastër, kjo është përvoja e tyre e parë me një cirk të vërtetë, ndërsa për të rriturit ,një kujtim që rikthehet pas shumë vitesh.
Shfaqjet në Gjirokastër janë planifikuar të zgjasin deri më 10 gusht. Prania e cirkut konsiderohet si një ngjarje e veçantë për jetën kulturore të qytetit, duke sjellë një lloj argëtimi që prej vitesh mungonte në zonë.
Top Channel