Akuzohet për pengim të punës së qeverisë, kabineti izraelit “largon” Prokuroren e Përgjithshme

04/08/2025 18:20

Qeveria ka qenë prej kohësh në përplasje me prokuroren, duke e akuzuar atë për pengim të përsëritur të vendimeve, emërimeve dhe legjislacionit, mbi baza politike dhe jo ligjore.

Megjithatë, sipas Times of Israel, Gjykata Supreme ka vendosur që shkarkimi i prokurores së përgjithshme nuk do të hyjë në fuqi derisa gjyqtarët të vendosin mbi ligjshmërinë e këtij veprimi. Edhe vetë Baharav-Miara e ka cilësuar procesin si të paligjshëm.

Ndërkohë, partia opozitare Yesh Atid, e udhëhequr nga Yair Lapid, ka apeluar vendimin në Gjykatën Supreme. Në një deklaratë, partia e qendrës theksoi se vendimi “u mor përmes një procesi të paligjshëm, duke anashkaluar të gjitha mekanizmat e nevojshëm për shqyrtimin e tij.”

Nisma për shkarkimin e Baharav-Miara-s u ndërmor nga Ministri i Komunikacionit, Shlomo Karhi, i cili tani po kërkon emërimin e një zëvendësuesi, duke theksuar se “nuk duhet të lejojmë që boshllëqet në qeveri të mbushen me interpretime ligjore të pabazuara.”

“Procesi që nisa rreth nëntë muaj më parë ka përfunduar,” shkroi Karhi në Twitter, duke iu referuar një letre që ai hartoi në nëntor dhe që u nënshkrua nga shumë anëtarë të kabinetit.

“Më mirë vonë (shumë vonë) sesa kurrë. Po të varej nga unë, do të kisha ngritur padi kundër saj për mashtrim dhe pabesi,” shtoi ai.

Top Channel